Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Bujar Qerimi, ka shpallur të enjten listën për dy ndeshjet e fazës kryesore kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2026.
Lionel Mirdita është ftuar për herë të parë, ndërsa kthehen Drilon e Drenit Tahirukaj. Për dy ndeshjet, atë kundër Ishujve Faroe dhe Holandës, seleksionuesi Qerimi ka përfshirë 16 lojtarë.
Kosova të hënën udhëton për në Ishujt Faroe, shkruan “Gazeta Express”.
Do t’i zhvillojë katër seanca stërvitore para ndeshjes të cilën e luan ndaj Ishujve Faroe në Torshavn më 6 nëntor, ndërsa më 10 nëntor përballet në Prishtinë ndaj Holandës.
Në grupin e gjashtë së bashku me Holandën dhe Ishujt Faroe është edhe Ukraina.
“Grupi është sfidues, por Kombëtarja jonë e kërkon kualifikimin historik në Evropian”, shkruan Federata e Hendbollit e Kosovës.
Dy vendet e para në grup kualifikohen në Evropian, ndërsa kualifikimin e sigurojnë edhe katër përfaqësueset më të mira të pozitës së tretë prej tetë grupeve sa janë gjithsej.