Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë për Front Online, se rritja e rasteve të reja me Covid-19 është shumë shqetësuese.
Ajo ka thënë se shteti duhet t’i dal në ndihmë personave të infektuar, e atyre që janë izoluar për shkak të kontakteve që kanë pasur.
“Është e qartë që rritja e numrit të rasteve është mjaft shqetësuese. Ne duhet të kemi mundësi që atyre që kanë komplikime t’i ofrohet trajtim adekuat në institucione shëndetësore, ndërsa të gjithë ata që duhet të vetëizolohen në shtëpi, duhet të ndihmohen nga komuna”, ka thënë ajo.
Kollçaku ka thënë se duhet të dëgjohen rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, dhe të dëgjohen ekspertët e kësaj fushe.
“Unë mendoj që vazhdimisht duhet dëgjuar rekomandimet e IKSHPK-së. Është e rëndësishme të dëgjohen ekspertët. Është e rëndësishme që brenda institucioneve shëndetësore të organizohet puna e jo derisa dikush është i dyshimtë me Covid të futet në një dhomë me dikë që është me sëmundje të tjera”, ka shtuar ajo./Front Online