Llapi e mbylli këtë edicion duke e arritur qëllimin e kahmotshëm. Skuadra që drejtohet nga Tahir Batatinës u shpall fitues i Kupës së Kosovës.
Ky triumf do t’ia mundësojë skuadrës nga Podujeva daljen në Evropë për herë të parë në histori të klubit, raporton FrontOnline.
Pas mbylljes së edicionit në Superligën e Kosovës, të gjitha skuadrat, përfshirë edhe Llapin janë në pushim.
Por, pushimi kësaj radhe për futbollistët e Llapit do të jetë më i shkurtër, pasi në fillim të muajit qershor nisin përgatitjet për pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës.
Zëdhënësi i Llapit, Petrit Miftari ka konfirmuar për FrontOnline se skuadra do t’i rikthehet stërvitjeve më 5 qershor.
“Skuadra jonë planifikon t’iu rikthehet stërvitjeve më 5 qershor, pasi ne u kemi dhënë pushim për shkak të ngarkesës dhe ndeshjeve të shpeshta të kampionatit si dhe kohës së pushimeve familjare”, ka deklaruar Miftari.
Stërvitjet e Llapit do të fillojnë në Podujevë, kurse në vazhdim ende nuk është vendosur se ku do të përgatiten djelmoshat e Batatinës.
“Ne stërvitjet do t’i fillojmë në Podujevë, ndërsa për vendin se ku do të zhvendosemi më tutje, do të njoftoheni me kohë”, shtoi ai për FrontOnline.
Ndryshe, para debutimit në Evropë, Llapi është përforcuar me Drilon Fazliun dhe Alef Firminon, derisa klubi ka larguar Alban Ramadaninn dhe Sava Gardaseviqin./FrontOnline/