Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve Naser Osmani dhe Atdhe Gashi për Fondin e trepërqindëshit
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Gjykata ka bërë me dije se Osmani dhe Gashi janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) viteve për secilin veç e veç.
Por, sipas avokatit të Atdhe Gashit, Arianit Koci, ky vendim i Gjykatës Themelore do të ketë probleme të arsyetohet pasi tri ekspertiza të bëra lidhur me rastin janë në favor të të akuzuarve që nxjerrin bilanc 00,00 në fund.
“Tri ekspertizat kanë dalë në favor të tyre, do të ketë problem të arsyetohet vendimi nga gjyqtarja”, tha Koci për lajmi.net.
Koci tha se një ekspertizë e bërë nga polici hetues është bërë në mungesë të dokumenteve për dy vite (2006 dhe 2007), por me marrjen e dokumenteve edhe kjo ekspertizë e ka paraqitur gjendjen në 00,00 ngjashëm me dy ekspertizat e tjera.
“Janë bërë tri ekspertiza, e para që është bërë nga polici hetues ka thënë që nuk i ka poseduar dokumentet për vitin 2006 dhe 2007 dhe kur kanë dalë dokumentet, ekspertiza e ka paraqitur gjendjen në 00.00, polici ka thënë vet që me posedimin e këtyre dokumenteve, ekspertiza do të ishte e njëjtë”, tha Koci.
Në anën tjetër, lidhur me këtë çështje, janë bërë edhe dy ekspertiza të tjera.
Ekspertiza e dytë është bërë nga një ekspert i pavarur dhe e treta nga një grup prej 3 ekspertësh dhe bilanci i rrjedhur nga këto ekspertiza është në favor të të akuzuarve ndaj të cilëve u mor sot vendimi për dënimin me 3 vjet burg secili.
Koci për lajmi.net gjithashtu pohon se edhe ekspertiza e kryer nga hetuesi policor të cilit i kanë munguar dokumentet për vitin 2006 dhe 2007, por pasi janë plotësuar të dhënat me dokumentet në fjalë, është qartësuar situata dhe raporti i ekspertizës ka qenë i njëjtë me dy ekspertizat e mëvonshme.
“Ekspertiza e tretë ka qenë e grupit të ekspertëve, 3 ekspertë, ekspertiza e dytë ka qenë një ekspert i pavarur dhe ekspertiza e hetuesit policorë i kanë munguar dokumentet për vitin 2006 dhe 2007, por në ndërkohë janë plotësuar dhe u qartësu.”, tha Koci.
“Ka qenë problemi, kur polici e ka bërë ekspertizën i kanë munguar dokumentet, kur janë plotësuar ka dalë mirë.”, tha gjithashtu ai.
Lidhur me procedurat e rastit, Koci tha se do të pritet aktgjykimi në formën e shkruar dhe do të parashtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit e cila pritet ta hedhë poshtë vendimin.
Ai shprehet i habitur pasi thotë se gjykata do të ketë problem ta arsyetojë vendimin e sotëm me shkrim.
“Ne presim ta marrim aktgjykimin në formë të shkruar, do të parashtrojmë ankesën dhe jemi besojmë se Gjykata e Apelit do ta hedhë poshtë këtë vendim të padrejtë. Unë po habitem. Nuk e di mbi bazë të çfarë fakteve, mbetet të shihet në arsyetimin me shkrim. Do të ketë problem gjykata ta arsyetojë me shkrim, por të shohim tash”, tha Koci në fund për lajmi.net.
Në komunikatën e Gjykatës Themelore, thuhet e kundërta e asaj që pohon avokati Koci se kanë thënë raportet e ekspertizës.
Përkundër këtyre raporteve, për të cilat Koci thotë se kanë qenë në favor të të akuzuarve dhe se që të tria kanë vendosur bilancin e njëjti, Gjykata Themelore thotë se N.O dhe A.G kanë përvetësuar një shumë të parave e cila dallon shumë prej raporteve të ekspertizës të cilave iu referohet dhe për të cilat jep detaje avokati Arianit Koci.
“Të akuzuarit N.O dhe A.G së bashku me të akuzuarin B.B për të cilin është veçuar procedura, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri në vitin 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjellë vetës apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme kishin përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave të tjerë, e cila iu është besuar atyre, qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe vendeve të tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë se Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimumi 3% të të hyrave të tyre personale mujore, ashtu që kishin tërhequr shumën prej 154, 132.47 euro, në kesh dhe nuk kishin arsyetuar dhe dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume.”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore.
Në anën tjetër, mbetet të shihet se cili do të jetë arsyetimi me shkrim i vendimit të sotëm të Gjykatës Themelore dhe cilat do të jenë veprimet e Gjykatës së Apelit pasi Arianit Koci ka pohuar sot për lajmi.net se do të parashtrohet ankesë për këtë vendim siç e quan ai, të padrejtë. /Lajmi.net/