Sot janë bërë 13 ditë kur barrikadat e vendosura nga serbët kanë bllokuar rrugët që të çojnë në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut.
Serbët lokalë kanë ngritur edhe një tjetër barrikadë afër fshatit Çabër në drejtim të Zubin Potokut, ku kanë vendosur dy kamionë, raporton Front Online.
Ndërsa, sot serbët kanë mbajtur një protestë duke filluar nga ora 12:00 në Rudarë të Leposaviqit.
Por, si është situata në Zubin Potok.
Për, këtë për Front Online ka folur zëvendëskryesuesi i Komunës së Zubin Potokut, Vedat Mehmeti.
Ai, ka thënë se pavarësisht barrikadave që janë vendosur afër fshatit Çabër, situata është e qetë.
“Për momentin është situatë e qetë, po flas sa i përket fshatit Çabër, ka të vendosura barrikada prej 200 apo 300 metra nga fshati mirëpo ato nuk janë për momentin pengesë, pra nuk na pengojnë për me qarkulluar si banor”, ka thënë Mehmeti, për Front Online.
Kurse, ka treguar se cila ka qenë biseda më zyrtarët qeveritarë.
“Unë po flas për vete, ndina shumë i sigurtë, i besoj Qeverisë së Kosovës, kam biseduar edhe me zyrtarë të Qeverisë dhe na kanë thënë se nuk ka nevojë për shqetësim, nuk ka nevojë për frikë, për çdo gjë na kanë thënë me lajmërua Policinë e Kosovës”, ka deklaruar Mehmeti.
Pavarësisht situatës së brishtë në veri të vendit, Mehemti, thotë se në stacion të Zubin Potokot ka të vendosur Policë të Kosovës të cilët po kujdesen për situatën atje.
“Policë të Kosovës ka të vendosur në stacion të Zubin Potokut, kurse në Çabër jo, ka qenë një stacion, mirëpo për momentin nuk është funksional, por për çdo rast është ndërrimi që vjen dhe për çdo rast mundemi me i lajmërua ata nëse ka ndonjë shqetësim për banorët”, ka shtuar ai.
Kurse, ka treguar se të gjitha shërbimet për banorët në fshat janë duke u kryer, derisa ka thënë se nuk e din se kur do të mund të hiqen barrikadat.
“Unë nuk e di edhe sa munden me qëndrua këto barrikada, a është çështje orësh, apo çështje ditësh. Të gjitha shërbimet për banorët e fshatit Çabër janë duke u kryer”, është shprehur Mehmeti.
Që nga 10 dhjetori, rrugët që të çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga barrikadat.
Vendosja e tyre erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili po dyshohet se ka kryer vepra penale terroriste dhe kundër rendit kushtetues.
Me vendosjen e barrikadave u mbyllën me vendim të Policisë së Kosovës edhe dy pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën me vendin e saj fqinj, Serbinë./Front Online