Për zgjedhjet e përgjithshme paralamentare të mbajtura më 14 shkurt, 1 milion e 794 mijë e 862 persona kanë qenë në listën e votuesve të regjistruar. Ndërsa sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Kosova ka më pak banorë sesa votues të regjistruar.
Në raportin Vlerësimi i Popullsisë, 2019, ASK vlerëson se popullsia e Kosovës është 1milion e 782 mijë 115 banorë rezidentë.
Për këtë mospërputhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka dhënë një përgjigje në rubrikën “Pyetjet më të shpeshta” në web-faqen e këtij institucioni.
KQZ thotë se në listën e votuesve të regjistruar hyjnë edhe ata që jetojnë jashtë vendit.
“Lista Votuese dhe Regjistrimi i Popullsisë duhet të shikohen ndaras. Në regjistrimin e popullsisë janë të përfshirë vetëm banorët rezident në kohën kur është bërë regjistrimi, pra nuk përfshihen ata që jetojnë jashtë vendit (diaspora), ndërsa në Listën Votuese përfshihen shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve obligohet ta krijojë listën votuese në bazë të të dhënave të Regjistrit Civil të Kosovës.
Pasi t’i pranojë të dhënat nga Regjistri Civil, KQZ përcakton qendrat e votimit të votuesve, duke pasur parasysh që qytetarët të mund të votojnë sa më afër vendbanimit të tyre.
Për t’i parë pyetjet më të shpeshta që i bëhen KQZ-së dhe përgjigjet e tyre, klikoni KËTU.