Kina ka uruar presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, një javë pasi Biden u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale amerikane.
“Ne respektojmë zgjedhjen e popullit amerikan. I shprehim fitore zotit Biden dhe zonjës (Kamala) Harris”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin gjatë një konference për media më 13 nëntor.
“Ne e kuptojmë që rezultati i zgjedhjeve amerikane do të përcaktohet sipas ligjeve dhe rregullave të SHBA-së”, shtoi ai.
Kina ishte në mesin e disa vendeve të mëdha – përfshirë Rusinë dhe Meksikën – që deri më tani nuk kishin uruar Bidenin. Pekini më herët kishte theksuar se “ishte në dijeni që Biden ka deklaruar se ai është fituesi” i zgjedhjeve të 3 nëntorit, gjë që ai e bëri pasi mediat kryesore amerikane thanë se ai është fituesi i garës për Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti aktual amerikan, Donald Trump, ende nuk e ka pranuar humbjen. Ai pretendon se ai do të ishte fituesi po që se nuk do të numëroheshin “votat ilegale” në disa shtete ku ai humbi. Por, Trump dhe aleatët e tij nuk kanë dhënë asnjë dëshmi për këto pretendime dhe kanë nisur beteja ligjore me qëllim që të përmbysin rezultatin zgjedhor.
Tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës u intensifikuan gjatë administratës Trump, veçanërisht në fushën e tregtisë, sigurisë së teknologjisë dhe koronavirusit, që për herë të parë u shfaq në Kinë.
Media shtetërore kineze, më 9 nëntor publikoi editoriale ku thuhej se marrëdhëniet mund të rregullohen dhe se përmirësimi i tyre mund të nisë me fushën e tregtisë nën administratën Biden.
Përderisa kanë pranuar se ka pak gjasa që SHBA-ja të ulë presionin ndaj Kinën për çështjet si Xinjiang dhe Hong Kongu, media e mbështetur nga shteti, Global Times tha se Pekini duhet të punojë që të komunikojë me ekipin e Bidenit sa më mirë që të mundet.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov gjatë një interviste dhënë për RT-Russia më 13 nëntor, tha se Rusia do të presë për rezultatet zyrtare të zgjedhjeve amerikane para se të urojë fituesin.
“Kjo është një shenjë e mirësjelljes. Ne nuk do të themi asgjë për zgjedhjet dhe as për situatën aktuale. Ne do të presim për amerikanët, nuk do të presim mediat amerikane. Por, do të presim amerikanët që të emërojnë presidentin e tyre”, tha ai.
Që prej viteve 1800, mediat amerikane projektojnë se kush është fituesi i zgjedhjeve dhe më pas fituesi shpall fitoren dhe humbësi e pranon atë. /REL