×
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Kina “pushton” Ballkanin, Kosova me 320 milionë € importe vjetore!

    FrontOnline
    03 Maj 2021

    Çdo qytetar i Malit të Zi i ka borxh më shumë se 1000 € mesatarisht shtetit të Kinës për shumën e kredisë që kanë marrë nga kjo e fundit për ndërtimin e një autostrade.
    Nëse Mali i Zi nuk arrin ta shlyejë këtë borxh, i cili shkon në rreth 650 milionë euro, atëherë ka rrezik që Kina t’ia marrë burimet më të vlefshme natyrore.
    Kështu kanë raportuar javë më parë mediet malazeze, ku kanë prezantuar shqetësimet për rritjen e mëtejme të këtij borxhi ndaj shtetit komunist dhe vështirësitë financiare që ka shteti i vogël Ballkanik në pagesën e tij.

    Mbi 15 miliardë dollarë investime kineze në Ballkan

    Në Ballkanin Perëndimor investimet kineze vlerësohet se përbëjnë rreth 20% të stokut të përgjithshëm të investimeve të huaja direkte, apo mbi 15 miliardë dollarë amerikan investime, ku Serbia kryeson me rreth 10 miliardë.
    Në Bashkimin Evropian investimet kineze janë dukshëm më të ulëta se në Ballkan.
    Po t’i krahasojmë me investimet në Bashkimin Evropian, investimet kineze në BE përbëjnë rreth 2% të stokut të përgjithshëm, ndërsa në Ballkan kanë arritur rreth 20% kryesisht në infrastrukturë”, kishte deklaruar më herët  Valbona Zeneli, Drejtore e departamentit të iniciativave strategjike “Marshall Center”, Gjermani, raportonte Zëri i Amerikës.
    Jo vetëm në Mal të Zi dhe Serbi, investime të majme kineze kanë ndodhur edhe në Shqipëri, ku shuma e përgjithshme e këtyre investimeve shkon në rreth 500 milionë dollarë amerikan.
    Në Shqipëri investimet kineze janë të orientuara kryesisht në sektorin e naftës dhe hotelieri.

    Rreth 320 milionë € në vit ka arritur importi i mallrave kineze në Kosovë

    Përdallim nga Shqipëria, në Kosovë nuk ka investime kineze, por importet e mallrave nga shteti që e kundërshton pavarësinë e vendit janë shumë të larta. Madje janë në rritje të vazhdueshme.
    Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës, ka bërë të ditur për portalin “Front Online” se gjatë vitit të kaluar janë importuar mallra nga Kina në vlerë prej 320 milionë euro, derisa për tre muajt e parë të këtij viti janë importuar 87.5 milionë euro mallra nga Kina.
    “Gjatë vitit 2019 importi i mallrave nga Kina ka qenë rreth 339 milionë euro, në vitin 2020 rreth 320 milionë euro, ndërsa për tre muajt e parë të vitit 2021 janë importuar 87.5 milionë euro mallra”, ka thënë Stavileci për “Front Online”.

    Rukiqi: Rritja e investimeve kineze në Ballkan shihet si rrezik në aspektin gjeopolitik

    Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës(OEK), thotë për “Front Online” se rritja e investimeve kineze në Ballkanin Perëndimor është parë si rrezik nga akterët tjerë gjeopolitik.
    “Kinezët janë bërë mjaft konkurrues në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ky ndikim tani po shtrihet edhe brenda pjesës së Bashkimit Evropian dhe kjo normal që ka ngritur shqetësime. Edhe nëse i shohim edhe këto luftërat tregtare dhe këto çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut, e drejta që lidhet me qasje në të dhëna, 5G, gjitha këto janë shqetësime, të cilat janë pjesë e një ballafaqimi gjeopolitik, i cili po shihet që është në fillim. Ne si akterë të vegjël e kemi vështirë të ndikojmë. Edhe marrëveshja e Washingtonit, me 4 shtator 2020, përmban investime në infrastrukturë, në mënyrë që me e frenu ndikimin kinez në Evropë”, ka potencuar Rukiqi.
    Sipas tij, në Kosovë nuk ka kurrfarë pengesa ligjore që të ketë investime kineze, por, siç thotë ai, pengesat janë politike.
    “Kina e ka një bankë në rajon, e cila është në Beograd dhe kjo bankë nënshkruan marrëveshje me shtetet dhe pastaj futen kompanitë e vendeve e shteteve me të cilat ata nënshkruajnë marrëveshje dhe i realizojnë investimet. Kjo nuk pritet të ndodhë tek ne për shkak se nuk kemi një marrëdhënie të tillë me Kinën. Kjo është arsyeja pse nuk kemi investime kineze. Pra nëse Kina do ta njihte Kosovën si shtet, atëherë do të kishim marrëdhënie diplomatike, nuk do të përjashtohej mundësia që të kishte dhe investime të tilla. Sidoqoftë në këso rrethana unë e shoh të pamundshme”, pohon Rukiqi.
    Sa i përket rritjes së importeve nga Kina në Kosovë, i pari i biznesit në vend thotë se çështja e tregtisë është gjithmonë e diskutueshme, por, sipas tij, shtetet tjera importojnë edhe më shumë mallra kineze.

    Ndikimi ekonomik mund të shndërrohet në ndikim politik

    Ndërkohë që disa vende europiane i kanë mirëpritur këto investime, të tjera janë shumë të shqetësuara nga ndikimi në rritje i Kinës ndaj këtij kontinenti, sepse interesat e saj nuk janë vetëm ekonomike, por edhe politike.
    Për shkak të rritjes së ndikimit kinez, ka rënë edhe interesi i shteteve ballkanike ndaj BE-së, dhe më konkretisht ndaj atyre që dëshironin të bëheshin pjesë e saj.
    Për shembull, në vitin 2012, rreth 70% e serbëve dëshironin që  shteti i tyre të bëhej pjesë e BE-së, ndërsa në ditët e sotme, përqindja ka rënë me më shumë se gjysmën, në 34%.
    Edhe përfaqësues të shoqërisë civile në Mal të Zi, shtet ky që ka borxhe të mëdha financiare ndaj Kinës, kanë shprehur shqetësimin e ndikimi ekonomik mund të shndërrohet në ndikim politik nga shteti i madh komunist.
    Pas një periudhe investimesh të shumta në Europën Jugore, gjatë viteve të fundit, investitorët kinezë u drejtuan nga disa prej ekonomive më të mëdha europiane. Në vitin 2016, Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia ishin tre përfituesit më të mëdhenj të këtyre investimeve, ndërsa në vitin 2017 Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca përbënin rreth 75% të investimit total të Kinës në BE gjatë atij viti, njëkohësisht edhe përqindja më e madhe në dhjetë vitet e fundit.

    /Front Online/

     

    Nga Rubrika
    Ekonomi10 Janar 2025
    Instituti GAP ka publikuar një infografikë me produktet më të eksportuara gjatë viteve 2022-2024. Buzuar në këtë infografikë, më së shumti është...
    Ekonomi10 Janar 2025
    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për rritjen e pensioneve për 20 përqind për familjet e kategorive të...
    Artikull i Sponsoruar09 Janar 2025
    BKT Kosova, si një nga bankat më të mëdha komerciale në tregun e Kosovës, lanson produktin e saj të ri të gjelbër...
    Të tjera
    Lajme12 Janar 2025
    Partia Demokratike e Kosovës po rastin e mbajtjes së tubimit elektoral në Ferizaj, prezantoi para pjesëmarrësve shtatë kandidatët për deputetë në Kuvendin...
    Lajme12 Janar 2025
    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është shprehur se Partia Demokratike e Kosovës e ka rikthyer pulsin dhe se po rikthehet si forca...
    Vip12 Janar 2025
    Ish-banorja e BBVK 2, Kader Kicaj, ka reaguar kundër ish të dashurit të saj, Lumbardh Salihut. Bukuroshja nga Prizreni ka publikuar disa...
    Lajme12 Janar 2025
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka vizituar sot komunën e Kaçanikut. Abdixhiku vlerësoi lartë...
    Lajme12 Janar 2025
    Në Shtëpinë e Kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik, Lidhja Demokratike e Kosovës po mban takim. Nga postime e LDK-së në Facebook, shihet...
    Bota/Rajoni12 Janar 2025
    Shkalla e infektimeve me virusin e ngjashëm me gripin, metapneumovirus (HMPV), është duke shënuar rënie në veri të Kinës, thanë zyrtarët shëndetësorë...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.