Qyteti i Kinës Kingdao do ta testojë gjithë popullsinë prej nëntë milionë banorësh për COVID-19.
Testimi masiv vjen disa ditë pas zbulimit të dhjetëra rasteve me koronavirus, të cilat lidhen me një spital që trajton pacientët që kthehen nga jashtë.
Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë tha të hënën se “i gjithë qyteti do të testohet brenda pesë ditësh”.
Rreth 114,862 njerëz – përfshirë staf mjekësor dhe pacientë të shtrirë së voni në spitalet e qytetit – kanë dalë tashmë negativë, tha Komisioni Shëndetësor i Kingdaos.
Në maj, Kina ka testuar gjithë qytetin e Vuhanit – me 11 milionë banorë – i cili ka qenë epiqendër e pandemisë globale të koronavirusit.
Kina, në masë të madhe, e ka vendosur virusin nën kontroll, për dallim prej pjesëve të tjera të botës që kanë ende shifra të larta.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka prekur 37.5 milionë njerëz në gjithë botën.
Prej tyre, mbi 1 milion kanë vdekur dhe mbi 26 milionë janë shëruar.