Ish ambasadori Sabri Kiçmari ka thënë që Ministria e Punëve të Jashtme, ka bërë shumë mirë sipas tij, që e ka refuzuar kërkesën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për ta vizituar Kosovën.
“Iniciativa e presidentit Vuçiq, ishte njëlloj incidenti në natyrën e tij, për shkak se momenti që kishte përzgjedhur presidenti serb, për të ardhë në Kosovë ishte problematik për vendin tonë; pak ditë pas shkuarjes në Hagë, të katër anëtarëve të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, përfshirë presidentin dhe dy ish kryetarët e kuvendit”.
“Politika e jashtme serbe, është e njohur për kundëreagime të tilla, dhe kam përshtypjen që këtu ishte poenta, që të shkaktojë një lloj skandali, një lloj kundëreagimi të politikës sonë”.
“Mendoj që politika jonë e jashtme, ka vepruar drejt. Nuk do të duhej lejuar që jo vetëm Vuçiq por edhe bashkëpartiakët e tij, të vijnë dhe të ndikojnë në një gjendje, tepër emocionale të qytetarëve të Kosovës”.
Kiçmari në Info Magazine në Klan Kosova, ka theksuar se sipas tij, BE-ja duhet të gjejë metoda dhe mundësi për të ndikuar që situata mos të eskalojë.
“BE-ja duhet ti bëjë presion Beogradit që të mos marrë iniciativa të tilla, për të ndërhyrë sidomos në një gjendje të tillë emocionale të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.