×
  • Lifestyle
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Këto janë sëmundjet që shkaktuan më së shumti vdekje gjatë vitit të kaluar

    FrontOnline
    10 Dhjetor 2020

    Sipas një raporti nga Organizata Botërore e ShëndetësisëNt: Shtatë sëmundje jongjitëse janë evidentuar si shkaktarët e afro gjysmës së vdekjeve të shënuara gjatë vitit të kaluar, për të cilat faji i ngarkohet pjesërisht mënyrës së jetesës së njerëzve, si dhe mjedisit jo të shëndetshëm

    Sëmundjet jongjitëse, si kanceri dhe diabeti, konsiderohen se janë shkaktarët kryesorë të vdekjeve në botë, duke përbërë me këtë një ndryshim të theksueshëm prej dy dekadave më parë.

    Këto sëmundje tani përbëjnë shtatë nga 10 shkaktarët kryesorë të vdekjeve, një rritje kjo prej katër në 10 sa ishin gjatë vitit 2000, kur sëmundjet e ndërlidhura me zemrën ishin evidentuar si vrasësit më të mëdhenj – në rreth 16 për qind të rasteve të gjithmbarshme të vdekjeve.

    Sipas një raporti të publikuar të enjten nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Alzhaimeri dhe format e tjera të demencies tani janë në mesin e dhjetë shkaktarëve kryesorë të vdekjeve, përderisa vdekjet nga diabeti kanë shënuar rritje prej 70 për qind në gjithë globin, ndërmjet viteve 2000 dhe 2019.

    Të dhënat më të fundit e shpërfaqin nevojën për përqendrim më të madhe në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe atyre kronike të frymëmarrjes, ka thënë drejtori i përgjithshëm i trupit kryesor shëndetësor të OKB-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

    “Këto vlerësime të reja na rikujtojnë qartë se duhet ta nisim sa më parë angazhimin në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjet jongjitëse”, ka thënë ai. “Ato e kanë theksuar urgjencën për një kujdes parësor shëndetësor drastikisht më të mirë, më të barabartë dhe holistik. Kujdesi i mirë parësor shëndetësor është qartazi baza ku fillon çdo gjë, duke nisur nga luftimi i sëmundjeve jongjitëse e deri te menaxhimi i një pandemie”.

    Shtatë sëmundjet që janë vënë në pah në raportin e OBSH-së llogaritet se kanë shkaktuar 24.4 milionë vdekje apo 44 për qind të vdekjeve mbarëbotërore gjatë vitit 2019.

    Pas sëmundjeve të zemrës, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e pothuajse 9 milionë njerëzve më 2019, sulmet në tru dhe sëmundjet kronike të mushkërive janë radhitur në vendin e dytë dhe të tretë, duke u pozicionuar para shkaktarëve të tjerë të vdekjeve nga sëmundjet jongjitëse. Trakeja, bronket dhe kanceri në mushkëri, sikurse edhe sëmundjet e veshkave, është evidentuar të kenë shënuar gjithashtu rritje të theksueshme.

    Demencia pozicionohet e shtata në listën e shkaktarëve të vdekjes, me ç’rast është konstatuar se gratë preken në mënyrë disproporcionale prej saj – kjo ngase 64 për qind e vdekjeve janë regjistruar mes grave. Diabeti renditet si sëmundja e nëntë më vrastare në listë, duke shënuar rritjen më të madhe të vdekjeve tek meshkujt – një rritje prej madje 80 për qind krahasuar me vitin 2000.

    Vdekjet nga sëmundjet ngjitëse kanë shënuar rënie gjatë 20 vjetëve të fundit, por mbeten ende sfidë në vendet me të ardhura të mesme apo të ulëta, thuhet në raport.

    HIV/Aids-i ka rënë në vendin e 19-të të sëmundjeve vdekjeprurëse më 2019, pasi në vitin 2000 ishte renditur si e treta, por është ende në mesin e 10 vrasësve kryesorë në Afrikë dhe në Azinë Jugperëndimore.

    OBSH-ja i ka vënë në pah vdekjet e shkaktuara edhe nga lëndimet në aksidentet rrugore, posaçërisht në Afrikë, dhe përdorimi i drogës në dy Amerikat, ku është regjistruar një rritje prej 300 për qind në shkallën e vdekjeve të ndërlidhura me drogën mes viteve 2000 dhe 2019.

    “Raporti i OBSH-së e përshkruan një shifër shkatërruese për jetët e njerëzve, e cila mundet dhe duhet të parandalohet”, ka thënë Katie Dain nga “NCD Alliance”. “Nëse qeveritë janë serioze për t’i parandaluar që të dy llojet e vdekjeve të përballueshme në një shkallë masive dhe përgatiten më mirë për pandemitë e ardhshme, atëherë duhet të investojnë për shëndetin e qytetarëve të tyre dhe të promovojnë për ta mjedise të shëndetshme jetese, duke prekur disa nga faktorët më të zakonshëm të rrezikut – alkooli, duhani, mungesa e aktiviteteve fizike, ushqimi jo i shëndetshëm dhe ndotja e ajrit – dhe t’i sigurojnë të gjithë që kanë nevojë për qasje në diagnostikim thelbësor dhe jetëshpëtues, sikurse edhe në trajtim dhe kujdes adekuat”.

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni26 Nëntor 2024
    Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të hënën se në ditën e tij të parë në detyrë do...
    Bota/Rajoni25 Nëntor 2024
    Numri i grave të vrara nga bashkëshortët apo familjarët e tyre në botë ishte 51,100 vitin e kaluar, njoftoi të hënën agjencia...
    Bota/Rajoni25 Nëntor 2024
    Grupi i Bankës Botërore publikoi sot Raportin për Klimën dhe Zhvillimin për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku për Shqipërinë theksohet se...
    Të tjera
    Vip26 Nëntor 2024
    Banorët janë ballafaquar me një sfidë të mundësuar nga Prince Caffe, për t’u shpallur kapiten i javës. Ata ishin nga tre persona,...
    Lajme26 Nëntor 2024
    Sot do të mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor “Mësimet e nxjerra, rekomandimet, dhe hapat e mëtutjeshëm në luftimin e...
    Lajme26 Nëntor 2024
    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot do të mbajë mot  i vranët dhe me intervale me diell. Sipas...
    Lajme26 Nëntor 2024
    Vazhdon sot procesi gjyqësor në rastin “Thaçi dhe të tjerët”. Seanca në Hagë nis në ora 09:00 dhe është paraparë të vazhdojë...
    Lajme26 Nëntor 2024
    Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti sot do të shqyrtojë vendimin e presidentes Vjosa Osmani, lidhur me kthimin në rishqyrtim të...
    Lajme26 Nëntor 2024
    Sot do të protestojnë punëtorët e sigurimit fizik te Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Protesta e tyre do të zhvillohet para Drejtorisë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.