Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, ka shpjeguar masat e reja që do të hyjnë në fuqi nga dita e nesërme.
Komiteti Teknik i Ekspertëve për pandeminë ka propozuar që, prej ditës së mërkurë, të kufizohet lëvizja nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit.
“Nuk i kemi shpikur ne këto masa. Ka vende të tjera që kur vala e dytë e pandemisë ka përparuar më shpejt, i kanë marrë këto masa. Ne po ndjekim të njëjtën trajektore. Periudha vjeshtë-dimër do të jetë sfiduese jo vetëm për sistemin shëndetësor. E rëndësishme mbetet vetëm zbatimi i rregullave dhe masave të vendosura nga autoritetet shëndetësore. Ka shumë që mund të bëjnë shaka dhe të pyesin pse virusi del pas orës 22:00? Ekspertët nxjerrin përfundimet e tyre mbi aktivitetet që rrisin rrezikun për përhapjen e infeksionit”.
“Një nga konkluzionet është se baret, restorantet dhe lokalet e natës janë burim infeksioni sepse të rinjtë, në këto vende, relaksohen dhe bëhen shkaktarë të përhapjes së virusit te grumpmoshat e tjera. Të themi të vërtetën, në këto ambiente zbatueshmëria e rregullave nuk ka qenë 100%”, nënvizoi Manastirliu./ A2 CNN