Qysh nga fillimi i pandemisë Covid-19, tre liderë institucional e partiak në vend, kanë rezultuar pozitivë me Coronavirus, raporton Front Online.
I pari që u infektua me këtë virus, ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.
Më 10 korrik të këtij viti, Mustafa përmes një postimi në “Facebook”, njoftoi për infektimin me këtë virus, teksa apeloi tek të tjerët për kujdes maksimal.
“Sot, pas analizave të kryera, kam rezultuar pozitiv me COVID-19. Përveç një plogështie, nuk vërej ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor. Anëtarët e tjerë të familjes nuk janë të prekur. Ditët në vijim do të jem i izoluar. Apeloj te të gjithë për kujdes maksimal!”, pati shkruar ai.
E këtë virus i pari i LDK-së, e mposhti pothuajse 2 javë pas diagnostikimit me të.
Pas Mustafës ishte kryeministri Hoti, ai i cili u prek nga virusi Covid-19. Më 2 gusht të këtij viti, Hoti njoftoi se ai ishte lideri i radhës që u prek nga ky virus, raporton tutje Front Online.
“Sot e kam bërë testin për covid-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Nuk kam shenja, përveç një kollë shumë të lehtë. Nga sonte jam në izolim për dy javët në vazhdim. Do të kryej obligimet nga shtëpia”, pati shkruar ai.
E pikërisht sot nga ky virus u prek edhe lideri I Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti. I njëjti njoftoi se pas shfaqjes së disa simptomave u testua dhe doli pozitiv me Coronavirus.
“Të nderuar anëtarë të Lëvizjes e qytetarë të Republikës, Parmbrëmë kisha disa simptoma: kokëdhembje të lehtë, pak koll dhe dhembje e skuqje të syve. Dje jam testuar për COVID-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Në dy javët në vijim do të qëndroj në vetizolim”, ka njoftuar pak më parë Kurti në një postim në “Facebook”. /Front Online