Emërimi i djalit të deputetit të AAK-së Haxhi Shalës, Flakron Shala, në pozitën e konsullit në Pragë nxiti reagime të shumta gjatë ditës së mërkurë.
Reagimeve të cilave iu dha fund, u.d e presidentes, Vjosa Osmani duke e shkarkuar nga detyra Shalën.
Por emërime të njëjta në poste diplomatike në baza partiake, nuk është hera e parë që bëhen në Kosovë.
Postin në mënyrë të tillë e fituan edhe shumë anëtarë të PDK-së, LDK-së, AAK-së, AKR-së e partive të tjera.
Varësisht se kush e udhëhoqi Ministrin e Punëve të Jashtme, favoret shkuan për anëtarët e asaj partie.
Gazeta Infokus ka siguruar listën e plotë të diplomatëve kosovar të cilët ushtruan detyra zyrtare nëpër vende të ndryshme të botës, e vazhdojnë të ushtrojnë.
Në kohën kur Enver Hoxhaj udhëhoqi Ministrin e Punëve të Jashtme, anëtar e Partisë Demokratike ishin ata që u punësuan gjithandej.
Vlora Çitaku, u emërua në vitin 2015 Ambasadore në Uashington.
E kjo nuk është vetmja nga PDK që mori post diplomatik.
Ish këshilltari i Enver Hoxhajt, Enver Buçaj u emëruar këshilltar në Ambasadën e Malit të Zi.
Nga kjo parti post të rëndësishëm mori edhe Nait Hasani i cili u punësua si Ambasador në Shqipëri.
Uliks Emera shkoi në Ambasadën e Norvegjisë, Artan Duraku shkoi në Iowa në SHBA, Mimoza Ahmetaj në Konsullatën e Starasburgut, Bubulina Krasniqi, (motra e Memli Krasniqi) në Ambasadën e Hungarisë.
Këta janë vetëm disa nga emrat e PDK të cilët u emëruan diplomatë.
Po ashtu edhe vajza e Migjen Kelmendit, anëtarit të PDK-së, Tefta Kelmendi, u dërgua në Ambasadën e Francës.
E traditën e emërimeve nuk e ndali as ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli.
Suzana Novobordaliu, e cila ishte deputete e AKR-së u emërua Konsulle e Përgjithshme në Stamboll.
Ndërsa pa pozita diplomatike nuk mbeten as familjaret e zyrtarëve të LDK-së.
Prindon Sadriu, burri i Vjosa Osmanit punon në Ambasadën e Shkupit e djali i Vlora Dumoshit, Rron Kryeziu këshilltar në Uashington.
Kujtojmë që Prindon Sadriu, të mërkurën i ka reaguar Time Kadrijajt, ku ka thënë se do të padisë për shpifje.
Time Kadrija kishte bërë një postim në facebook për Vjosa Osmanin pasi që ajo shkarkoi djalin e Haxhi Shalës.
“Vjosë, Kosova po e pret shkarkimin e burrit tënd, i cili gjithë ditën rrin në Prishtinë por e merr pagën e konsullit në Shkup”, kishte shkruar deputetja e AAK-së.