×
  • Lajme
  • Lajme

    Këta janë avokatët mbrojtës të krerëve të UÇK’së në Hagë

    FrontOnline
    18 Nëntor 2020

    Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u krijuan në përputhje me një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, një Ndryshim Kushtetues dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Ato janë të natyrës së përkohshme, me një mandat dhe juridiksion specifik mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet e tjera sipas ligjit të Kosovës, të cilat kanë filluar ose janë kryer në Kosovë ndërmjet 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga ose kundër qytetarëve të Kosovës ose Republikës Federale të Jugosllavisë. Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë selinë në Hagë, Holandë. Stafi i tyre është ndërkombëtar, ashtu si gjyqtarët, prokurori special dhe sekretari.

    Avokatë të njohur ndërkombëtarë dhe kolegë të tyre nga Kosova janë vënë përballë gjykatës së Hagës, për të mbrojtur liderët e UCK-së, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    “E drejta për përfaqësim ligjor para Dhomave të Specializuara të Kosovës është thelbësore për garantimin e gjykimit të drejtë të parashikuar në Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ata persona që kanë të drejtë për përfaqësim ligjor dhe demonstrojnë se nuk kanë mundësi të paguajnë për të, plotësisht ose pjesërisht, do t’u sigurohet ndihmë juridike për të paguar për Avokatin që është i kualifikuar profesionalisht të jetë në Listat e Këshillit.”, shkruan ABC.

    Secili prej tyre vjen me një përvojë të jashtëzakonshme në gjykatat ndërkombëtare dhe për disa Kosova nuk është një rast I panjohur. David Hooper, është avokati kryesor në mbrojtjen e ish-presidentit dhe ish-drejtorit politik të UÇK-së, Hashim Thaçi.

    DAVID HOOPER

    David Hooper ka fituar të gjitha çështjet e rëndësishme të profileve të larta të personave të akuzuar për krime të ndryshme. Hooper është avokat britanik i njohur kryesisht për çështje serioze penale dhe çështje ekstradimi, por fusha kryesore e praktikës së tij gjatë 20 viteve të fundit ka qenë në të Drejtën Penale Ndërkombëtare dhe përfaqësim të të akuzuarve para Tribunaleve dhe Gjykatave Ndërkombëtare. Hooper ishte avokat kryesor i mbrojtjes në Tribunalin Ndërkombëtar për Ruandën (ICTR) në rastin e Andre Rëamakuba, ministër në Qeverinë e Ruandës në vitin 1994, dhe më vonë për At Nsengimana, një prift katolik i akuzuar për gjenocid. Të dy personat që u mbrojtën nga Hooper u shpallën të pafajshëm. Që nga viti 2007, David Hooper ka qenë në krye të çështjeve në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, në Hagë, së pari si avokat në çështjen DRC të Germain Katanga, së dyti, në çështjen e dhunës zgjedhore në Kenia, rasti i William Ruto, zëvëndëspresident i Kenias. Cështja përfundoi në vitin 2016 kur gjykata ndërkombëtare për krimet hodhi poshtë rastin kundër tij, duke arritur në përfundimin se nuk kishte prova të mjaftueshme. Megjithatë gjykata nuk e shfajësoi Ruton. Një gjykatës deklaroi se kishte ndërhyrje dhe përzierje politike të patolerueshme ndaj dëshmitarëve. Hooper ka qenë Presidenti i parë i Shoqatës së Avokatëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC). Është diplomuar në Universitetin e Kentit në Caterbury dhe konsiderohet një nga avokatët më të mirë për çështjet kriminale.

    PIERRE-RICHARD PROSPER

    Pjesë e ekipit të avokatëve të ish-presidentit Thaçi është edhe Pierre-Richard Prosper, ish-prokuror dhe ish-zyrtar i qeverisë amerikane.

    Prosper ka qenë ambasador special për cështje të krimeve të luftës nga administrata e ish-presidentit George Ë. Bush në periudhën 2001-2005.

    Më parë, nga 1996 në 1998, Prosper kishte shërbyer si prokuror i krimeve të luftës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Ruandën. Gjatë asaj kohe ai procedoi çështjen e parë të gjenocidit sipas Konventës së 1948 mbi Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit.

    Përveç faktit që fitoi një gjyq të gjatë 14-mujor, Prosper hapi gjithashtu terren të ri në të drejtën ndërkombëtare duke arritur të bindë Tribunalin të pranojë përdhunimin gjatë kohërave të konfliktit si një akt gjenocidi dhe një krim kundër njerëzimit. Pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit Thaçi është edhe avokati nga Kosova Dastid Pallaska.

    BEN EMMERSON

    Ben Emmerson, avokati i njohur britanik, është përfaqësuesi ligjor I ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli në Gjykatën Speciale. I specializuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, të drejtës ndërkombëtare dhe penale kushtetuese e publike, Emmerson e njeh shumë mirë Kosovën dhe UÇK-në. Ka qenë në ekipin e mbrojtësve të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ishte akuzuar gjithashtu për krime lufte, por u lirua nga çdo akuzë në përfundim të procesit gjyqësor, në prill të vitit 2008-s pas një gjykimi disavjeçar dhe u shpall i pafajshëm.

    “Rreth vitit 2004, unë u afrova nga një ekip avokatësh që përfaqësonin një burrë të quajtur Ramush Haradinaj, i cili ishte Kryeministri i Kosovës dhe ishte paditur nga gjykata e krimeve të luftës në Hagë. Gjithmonë e kisha menduar me vete nëse do të bëja gjyqe për krime lufte në Hagë, do të isha me siguri në ndjekje penale sesa në mbrojtje.

    Por papritmas këtu ishte kjo çështje. Unë e mendova thellë dhe dhe kuptova se në rastin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që i rezistonte trupave serbe të Millosheviçit që planifikuan gjenocidin në Kosovë, ne kishim të bënim me diçka të tillë si të vije drejtuesin e rezistencës franceze në gjyq në Nuremberg bashkë me kriminelët nazistë të luftës. Dëshira për të qenë të barabartë do të thoshte që udhëheqësi i një ushtrie guerile të fermerëve me sfurqe dhe armë gjahu që bënin më të mirën që të mos lejonin një ushtri të pajisur me armë sovjetike të masakronte dhe shpopullonte Kosovën me shumicë të popullsisë etnike shqiptare, po trajtohej në të njëjtin nivel me ata që planifikuan gjenocidin”, thotë Emmerson.

    Emmerson ka qenë avokat kryesor në më shumë se 25 çështje në Gjykatën e Strasburgut dhe I ka fituar të gjitha. Ish-kryeministrja britanike, Theresa May, duke folur për figurën e Ben Emmerson, e ka cilësuar si një ndër avokatët më të mirë të Britanisë së Madhe.

    “Një nga avokatët më të dalluar të Britanisë në fushën e ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar për të drejtat e njeriut”, shprehej May.

    Në qershor 2011, Emmerson u zgjodh Raportues Special i Kombeve të Bashkuara në Task Forcën Kundër Terrorizmit dhe të Drejtat e Njeriut, mandate që e mbajti deri në korrik 2017. Ben Emmerson është edhe avokat i Mbretëreshës në Angli. Suksesi I tij është pasqyruar edhe në një film të quajtur “Official Secrets”, bazuar në një ngjarje të vërtetë, për të cilin ka fituar çmime ndërkombëtare.

    FILMI “OFFICIAL SECRETS”

    Në bazë të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të cilët akuzohen nga Gjykata Speciale, i miratuar nga Kuvendi Kosovës në vitin 2015, “ata kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësve të pavarur”. Ligji u garanton mbulimin e shpenzimeve për avokatë personave të akuzuar.

    “Me vetë faktin që ka themeluar një gjykatë speciale në një shtet të tretë sic është Holanda, ka për obligim që të gjithë personave të akuzuar të Republikës së Kosovës, t’iu ofrojë avokat mbrojtës me shpenzime publike, respektivisht t’iu ofrojë mbështetje financiare të gjithë personave të akuzuar, të cilët do të ballafaqohen me akt-akuza në Hagë”, thotë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për drejtësi.

    Qeveria e Kosovës ka miratuar tre vendime, në bazë të të cilave janë shpenzuar mjete për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar, të dyshuar apo të përfshirë në çfarëdo forme në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. Rreth 61 mijë euro janë shpenzuar nga buxheti i Kosovës për të mbuluar shpenzimet e disa prej personave të intervistuar nga Prokuroria speciale.

    Sipas një vendimi të qeverisë të marsit 2019, janë shpenzuar 40,000 euro ndërsa sipas një vendimi të shkurtit 2019, 30,000 euro. 40 mijë euro janë dhënë për përkrahje financiare për Lahi Brahimaj ndërsa 9,187 euro për Sami Lushtakun. Shuma prej 9,187 euro, është kthyer në buxhetin e Kosovës”. 13,822 euro janë dhënë për Sylejman Selimin ndërsa 6,991 euro për Mahir Hasani.  Këto vendime janë nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Shuma e buxhetit të këtij viti për këtë çështje ka qenë rreth 7 milionë euro. Ndërsa nga buxheti i vitit 2021 janë ndarë rreth 6.7 milionë euro për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave që akuzohen nga Gjykata Speciale.

    “Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, por edhe të Ligjit për Dhomat e Specializuara, çdo qytetar I Republikës së Kosovës që përballet me një akt-akuzë, që mund të dënohet me më shumë se 8 vite burgim efektiv, shteti është I detyruar t’u ofrojë ndihmë financiare, e cila përfshin pagesat e avokatëve mbrojtës, por edhe shpenzimet e tjera në rastin e Hagës, që mund të dalin nga udhëtimet e familjarëve për ti vizituar në qendrat e paraburgimit në Hagë”, thotë Miftaraj.

    Ligji, mbështetje financiare i siguron edhe anëtarëve të familjes Së personave të akuzuar për krimet e pretenduara, përfshirë këtu edhe shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës.

    “Sidoqoftë, legjislacioni I aplikueshëm në Kosovë e ka përcaktuar se në qoftëse këta persona, potencialisht, mund të shpallen fajtorë dhe të dënohen me burgim nga ana e gjykatës së Hagës, trupi gjykues, përveç dënimit kryesor, ka të drejtë të shqiptojë edhe dënim plotësues që është konfiskimi I pasurisë së personave të dënuar, I cili pastaj do të kompensojë qoftë përsa I përket shpenzimeve gjyqësore, apo shpenzimet që shteti I republikës së Kosovës ka paguar si mbështetje financiare për ti ofruar në njëfarë mënyrë avokatë mbrojtës apo për tu mundësuar që të kenë një gjykim të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm”, shprehet Miftaraj.

    Nga Rubrika
    Lajme14 Nëntor 2024
    Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka njoftuar se pilotët e Forcave të Sigurisë së Kosovës po vazhdojnë trajnimet në Bazën Ajrore të...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “paçavure” doracakun e Edukatës Seksuale për të cilin tha se ka kërkuar nga kryetarët...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Pas Kryeqytetit dhe disa komunave tjera, edhe ajo e Vitisë do të ndalojë përdorimin e Doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” për...
    Të tjera
    Lajme14 Nëntor 2024
    Gazetari dhe analisti, Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se në zgjedhjet 9 shkurtit, ‘goditjen’ më të madhe Lëvizja Vetëvendosje...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka thënë se janë të gatshëm të përballen me të gjitha sfidat e sigurisë, dhe se,...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Për të premten parashikohet të mbajë kryesisht i vranët, ku pritet në zona të caktuara të ketë reshje të pakta shiu e...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka dënuar sulmin me thikë në Ferizaj, i cili ndodhi për shkaqe etnike.Kusari-Lila ka...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi gjatë ditës së nesërme do të dorëzojë padi ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme...
    Vip14 Nëntor 2024
    Dalja e Gjestit nga shou më i madh televiziv shqiptar, Big Brother VIP Kosova, do të gëzonte disa prej banoreve brenda shtëpisë....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.