Profesori Jean-François Delfraissy, i cili shërben si këshilltar shkencor në qeverinë franceze, ka thënë se masat izoluese, të cilat janë caktuar të zgjashin deri më 1 dhjetor, mund të zgjaten më shumë.
Presidenti francez, Emanuel Makron, tha të mërkurën se Franca mund ta fillojë lehtësimin e masave posa shifra ditore e infektimeve të bjerë nën 5.000, nga rreth 40.000 sa është tash për tash.
Megjithatë, profesori Delfraissy tha se nuk mendon që ky synim do të arrihet deri më 1 dhjetor, shkruan The Guardian.
“Deri më 1 dhjetor, ne nuk do të kemi nga 5.000 raste në ditë. Mund t’jua them këtë haptazi që sot. Do të kemi nevojë për më shumë kohë”, tha profesori që e udhëheq këshillin shkencor që e këshillon qeverinë franceze rreth pandemisë.
Ndryshe, Franca është në mesin e vendeve evropiane që kanë pësuar më së shumti nga koronavirusi, si për numrin e infektimeve, ashtu edhe për shifrën e të vdekurve, bashkë me Britaninë e Madhe, Spanjën dhe Italinë.