Artan Murati, këshilltar i u.d të presidents së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë kundër vendimit të fundit të Qeverisë në lidhje me masat anti-COVID.
Sipas tij, sipas vendimit të fundit, ekzekutivi i vendit u kërkon të gjithë qytetarëve të Kosovës që hyjnë këtu të kenë test negativ për jo më të vjetër se 72 orë, ose të izolohen për 7 ditë dhe kjo, siç thotë ai, është pengesë për pjesëmarrjen e bashkëatdhetarëve në zgjedhjet e së dielës, raporton Front Online.
Postimi i plotë i Muratit:
Dmth Qeveria në detyrë merr vendim sot (pika 3), që të gjithë qytetarët e Kosovës që hyjnë në Kosovë duhet të kenë test negativ jo më të vjetër se 72 orë, ose duhet të izolohen për 7 ditë. Kam pesë pyetje:
E para, si është e mundur të mirret një vendim i tillë pikërisht në këtë kohë, kur dihet që kemi fluks të bashkëatdhetarëve që vecse janë nisur për Kosovë dhe janë rrugës, pa e pasur informatën për posedim të testit negativ?
E dyta, a do të ketë ekipe mobile nëpër pikat kufitare, ku këta bashkëatdhetarë do të mund të testoheshin sapo të arrijnë në Republikën e Kosovës, meqë sigurisht në pika të karburanteve nëpër rrugët e Evropës nuk mund ta bëjnë një test të tillë.
E treta, në rast të mungesës së testit, e si rrjedhojë e izolimit, a i bie që këtyre qytetarëve po u mohohet e drejta e votës të dielën?
E katërta, a do t’ua paguaj ky formacion i qeverisjes në detyrë dënimet potenciale bashkëatdhetarëve tanë, nëse potencialisht do ta thyenin masën e izolimit dhe karantinës dhe do të dilnin ta ushtronin të drejtën e tyre fundamentale për të votuar?
E pesta, a ka eskalim të situatës pandemike, që ky vendim mirret pikërisht tani? Nëse po, do të ishte mirë të ishim të njoftuar të gjithë si qytetar të këtij vendi. Ky vendim u morr në ditën kur faktikisht u lehtësuan masat për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në të gjithë vendin!
Dihet përse pikërisht tani diaspora është nisur për Kosovë. Kjo është vendim qesharak e tendencioz.