Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka njoftuar se me uljen e temperaturave, është rritur edhe kërkesa për konsum të energjisë elektrike.
Kjo energji, thotë KESCO, po përdoret për ngrohje.
Sipas njoftimit të kësaj kompanie, ditët e para të nëntorit tregojnë një rritje të kërkesës për rreth 18% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Kur ende nuk kemi hyrë në dimër, kërkesa ka shkuar në mbi 1100 megavat për orë në kohë pikut. Por, konsumatorët duhet ta kenë parasysh që Kosova ka tarifa që e nxisin kursimin e energjisë elektrike. Pra, sa më pak harxhojnë, aq më pak paguajnë jo vetëm si sasi, por edhe si çmim”, thotë KESCO në njoftim.
Kompania sqaron më tej se tarifat janë të ndara në dy blloqe kryesore sa i përket shpenzimit: deri në 800 kWh dhe mbi 800 kWh. Ndërkaq thotë se çmimet janë dukshëm më të larta për shpenzimin mbi 800 kWh. Prandaj, thotë se konsumatorët duhet ta kenë parasysh këtë dhe ta kursejnë maksimalisht energjinë elektrike.
KESCO kërkon që të evitohet ngrohja me energji elektrike në ato hapësira të banimit ku kjo është e mundshme.
“Por, aty ku nuk është e mundshme, ndër metodat e kursimit është përdorimi i pajisjeve efiçiente, sikurse edhe përdorimi i ngrohjes në mënyrë efiçiente, duke mos krijuar temperatura shumë të larta”, shprehen nga kjo kompani.
Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike kujton se gjatë krizës energjetike, shumë vende evropiane e patën kufizuar temperaturën e brendshme të mos jetë gjatë dimrit mbi 19°C.
“Kjo temperaturë llogaritet që ofron ngrohje të mjaftueshme për njeriun gjatë dimrit. Gjithashtu duhet të ngrohen vetëm hapësirat ku qëndroni e jo edhe ato ku nuk qëndroni. Izolimi i hapësirave të banimit është një hap tjetër i rëndësishëm që kursen rrymën që përdoret për ngrohje”, tha KESCO.
Kompania gjatë javëve në vijim tha se do të lansojë edhe një fushatë senzibilizuese lidhur me kursimin e energjisë elektrike dhe përdorimin efiçient të saj, të cilën e ka titulluar “Deri n’800!”. /Klankosova.tv