Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka njoftuar se ditë më parë ka takuar drejtorët e shkollave në Skenderaj.
Nga këta ky ka kërkuar që në ditën e votimit të vazhdojnë të jenë funksionale kamerat në klasa si në çdo ditë tjetër mësimore.
Por kërkesa e tij ra ndesh me atë të përfaqësuesve të KQZ-së, të cilët kanë urdhëruar që të ndalen kamerat në vendvotime, me pretekstin që “ky veprim është i kundërligjshëm në cenimin e lirive dhe të drejtave të votuesve”.
Jashari thotë se një shkresë e tillë e dërguar një ditë para zgjedhjeve, vetëm për Skenderajn, është e pa pranueshme dhe kundër demokracisë që synojmë të ndërtojmë.
“Për këtë situatë të krijuar kërkoj nga KQZ që të ndërmerr hapa konkret, konformë legjislacionit në fuqi duke dënuar e eliminuar çdo keqpërdorim të pozitës zyrtare”, ka shkruar ai.
Reagimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë,
Në funksion të konsolidimit të demokracisë liberale në shtetin tonë dhe në veçanti në komunën që unë udhëheq, për të pasur një proces të lirë dhe demokratik në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, për të ruajtur votën e shenjtë të qytetarit dhe kredibilitetin e këtyre zgjedhjeve, ditë me parë kam takuar drejtorët e shkollave të Skenderajt, nga të cilët kam kërkuar që në ditën e votimit të vazhdojnë të jenë funksionale kamerat në klasa si në çdo ditë tjetër mësimore.
Kjo do të jetë në shërbim të ruajtjes së votës dhe votimit të rregullt demokratik, duke evituar çdo përpjekje për të deformuar vullnetin qytetar.
Sot, gjatë ditës, jam informuar nga drejtorët e shkollave që ata kanë pranuar telefonata (siç kanë thënë nga KKZ) nga persona të cilët kanë kërkuar që nesër të ndalen kamerat në vendvotime.
Për me tepër, Komisioni Qendror Zgjedhor, përmes zyrtarit, Nexhmedin Hyseni ka dërguar në drejtim të KKZ- Skenderaj një e-mail përmes së cilës ka urdhëruar KKZ-në që të ndalen kamerat në vendvotime, me pretekstin që “ky veprim është i kundërligjshëm në cenimin e lirive dhe të drejtave të votuesve”.
Një shkresë e tillë e dërguar një ditë para zgjedhjeve, vetëm për komunën tonë, është e pa pranueshme dhe kundër demokracisë që synojmë të ndërtojmë.
Nëse prania e kamerave në vendvotimë (klasa) gjatë votimit është shkelje atëherë përse këto kamera janë vendosur dhe funksionojnë në pothuajse çdo shkollë në Kosovë dhe janë funksionale gjatë procesit mësimor.
Prania e kamerave në klasa evidenton çdo parregullsi që mund të ndodhë gjatë procesit të votimit apo numërimit dhe kështu nuk ka aspak të bëjë me shkelje të privatësisë sepse në kabinen e votimit aty ku voton qytetari nuk ka kamera dhe kështu votimi është i fshehur.
Për këtë situatë të krijuar kërkoj nga KQZ që të ndermerrë hapa konkret, konformë legjislacionit në fuqi duke dënuar e eliminuar çdo keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Pavarësisht veprimeve individuale që bëhen për qëllime të caktuara politike të gjithë ne e kemi obligim që të mbrojmë demokracinë dhe funksionimin normal të shtetit tonë të ndërtuar me shumë sakrificë.