×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Kërkohet që paga minimale të rritet në 600 euro, opozita premton veprime konkrete pas konstituimit të institucioneve

    FrontOnline
    22 Shtator 2025

    Në gusht të vitit 2024, paga minimale në Kosovë u rrit në 350 euro bruto në muaj.

    Kjo rritje erdhi si përgjigje ndaj inflacionit dhe rritjes së çmimeve, duke pasur parasysh nevojën për mbështetje më të madhe për ata që punojnë në sektorët me paga të ulëta.

    Niveli i pagës minimale ka qenë një çështje e diskutueshme, pasi së fundi po kërkohet që ajo të bëhet 600 euro.

     

    Azemi paralajmëron: Sindikata do të kërkojë 600 euro pagën minimale pas zgjedhjeve

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një prononcim për Front Online ka thënë se paga minimale prej 350 euro është e pamjaftueshme.

    Ai tha se me këtë pagë nuk mund të mbijetohet.

     “Kjo pagë nuk mund t’i mbulon kërkesat e vetëm të një personi, pasi me një pagë 320 – 330 euro nuk mund të mbijetohet”, tha ai.

    Azemi, ka bërë të ditur se deri pas 12 tetorit sindikata nuk do të ndërmarrë veprime protestuese, pavarësisht pakënaqësive me pagën minimale.

    “Deri me 12 tetor e kemi shpallë si ‘muajin e heshtjes’, sepse nuk dëshirojmë të bëjmë presione, me protesta dhe greva edhe pse kemi arsye, megjithatë nuk kemi dashtë të bëhemi të pa sinqertë”, tha Azemi.

    Ai shtoi se me përfundimin e zgjedhjeve lokale, të gjitha institucionet në tavolinë do të kenë kërkesat e sindikatës.

    “Me përfundimin e zgjedhjeve lokale, të gjitha institucionet në tavolinë do të kenë kërkesat tona që paga minimale së paku duhet të jetë 600 euro”, shtoi ai për Front Online.

     

     

    Ish-ministri i Financave: Paga minimale 500 euro është e domosdoshme për mbijetesë

    Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, në një prononcim për Front Online, tha se paga minimale është e ulët në vendin tonë dhe gjendja nuk është e mirë për të papunët, pensionistët dhe familjet në nevojë.

    “Kjo pagë minimale është e ulët, duke marrë parasysh lëvizjen e çmimeve kohëve të fundit. Gjendja nuk është e mirë edhe për ata që nuk janë në punë, për shtresën e pensionerëve, familjeve në nevojë që marrin ndihma sociale, që janë shumë më pak se sa paga mesatare ose paga minimale”, tha ai.

    Shatri, tha se minimumi i pagës minimale duhet të ishte 500 euro, duke theksuar se pagat në Kosovë janë nën mesataren e rajonit.

    Sipas tij, këto paga janë shumë të ulëta dhe nuk mjaftojnë as për mbijetesën e një familjeje.

    “Minimum është dashtë të jetë 500 euro, ne me paga jemi nën mesataren e pagave në regjion, duke marrë parasysh nivelin e çmimeve, këto paga janë shumë të ulëta dhe nuk mjaftojnë as për mbijetesë të një familje”, tha Shatri për Front Online.

    Ai tha se asgjë nuk është bërë nga institucionet për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e pagave. Sipas tij, resurset dhe mjetet e buxhetit për investime kapitale nuk janë shfrytëzuar.

    “Nuk është punuar asgjë, nga institucionet shtetërore, që të nxitet zhvillimi ekonomik, nuk janë shfrytëzuar resurset disponuese, mjetet e buxhetit për investime kapitale janë bllokuar, janë duke u bllokuar edhe ndihmat nga jashtë, edhe kreditë që janë marrë nga jashtë, kemi filluar me pagu edhe kamatë, dhe projektet që janë të parapara për këto kredi, nuk kanë filluar ende të investohet në ato”, shtoi ai.

    Shatri tha se institucionet po merren vetëm me çështje politike, pa u fokusuar në zhvillimin ekonomik.

    “Asnjë veprim nga institucionet e vendit nuk është duke u marrë, për mu nxit një zhvillim ekonomik, dhe më shumë merren me çështje politike se kush ku ka me nxënë ndonjë pozitë në institucione”, u shpreh ai për Front Online.

     

    Deputeti i LDK-së: Rritja e pagave duhet të jetë prioritet i qeverisë së ardhshme

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Krenar Xhaferi, në një prononcim për Front Online tha se partia e tij ka premtuar gjatë fushatës rritjen e pagave, dhe shtoi se si LDK do të ndërmarrin veprime konkrete dhe do të ngrenë zërin në parlament për këtë çështje, sapo të krijohen mundësitë.

    “Ne si LDK edhe gjatë fushatës kemi premtuar që rritja e pagave do të duhej sepse inflacioni është jashtëzakonisht i madh në Kosovë, unë besoj dhe shpresoj në momentin kur do të kemi mundësi që të diskutojmë për këto situata atëherë si LDK do të ngrisim zërin në këtë drejtim”, tha ai.

    Xhaferi, tha se kjo do duhet të ishte prioritet për qeverinë e ardhshme, sepse duhet të reflektojnë menjëherë, pasi për të tashmen është jashtëzakonisht vonë.

    “Kjo do duhej të ishte prioritet për qeverinë e ardhshme, sepse do duhej menjëherë të reflektojnë, pasi për të tashmen është jashtëzakonisht vonë”, shtoi ai për Front Online.

     

    Ferat Shala: Me konstituimin e institucioneve do të ndërmarrim veprime për rritjen e pagës minimale

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, tha për Front Online se kanë pasur platformën për pagën minimale dhe kategoritë sociale në zgjedhjet nacionale.

    “Në fazën e fushatës elektorale për zgjedhjet nacionale kemi pas platformë të qartë për çështjen e kategorive sociale dhe të pagës minimale, situata tashmë ka ndryshuar dhe ka degraduar skajshmërish për këto kategori, për faktin që qeveria nuk ka lëvizur asgjë në kuptimin e zhvillimit ekonomik”, tha Shala.

    Ai tha se do të insistojnë që paga minimale të rritet sapo institucionet të konstituohen.

    “Ne po presim që institucionet e vendit të konstituohen dhe ne të rikthehemi në koncept zhvillimor të vendit dhe do të insistojmë që paga minimale të lëvizë nga pozicioni që tashmë është”, u shpreh ai për Front Online.

     

    Kadrijaj kritikon qeverinë: Në vend të uljes së shportës bazike, kemi rritje çmimesh dhe varfëri

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kritikuar qeverinë duke thënë se ka ardhur me premtime për uljen e çmimeve të shportës bazike dhe sipas saj, pagat nuk po rriten, por vetëm çmimet.

    “Kjo qeveri ka ardhur me premtimin e zvogëlimit te çmimit të shportës bazike, qoftë të bukës, qoftë të vajit, qoftë të miellit ndërsa në fakt ka ndodh e kundërta pagat nuk po rriten çmimet po rriten dhe qytetarët për çdo ditë e më shumë janë më të varfër”, tha ajo.

    E pyetur nëse do të ndërmarrin ndonjë iniciativë pas konstituimit të Kuvendit, deputetja Kadrijaj tha se kanë premtuar rritjen e pagës minimale, dhe sipas saj, me pagat aktuale jeta në Kosovë është e pamundshme.

    “Ne kemi premtuar që duhet të rritet paga minimale mesatare duhet të rritet paga e punëtoreve varësisht prej çmimit të produkteve që po rriten, varësisht prej inflacionit duhet të jetë edhe paga përndryshe është e pamundshme jetesa në Kosovë”, deklaroi Kadrijaj për Front Online. /Front Online

     

     

     

     

     

     

     

    Nga Rubrika
    Sport03 Mars 2026
    Mërgim Vojvoda ka humbur një mundësi të artë të kalonte Comon në epërsi ndaj Interit, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Mbrojtësi...
    Sport03 Mars 2026
    Barcelona ka synim që sonte ta bëjë “të pamundurën, të mundur”, në përballje me Atletico Madridin. Në ndeshjen që luhet sonte me...
    Sport03 Mars 2026
    Real Madridi pësoi humbjen e katërt nën drejtimin e Alvaro Arbeloa kundër Getafes të hënën mbrëma, një rezultat që i lë “Los...
    Të tjera
    Lajme03 Mars 2026
    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se i ka thënë Bedri Hamzës se nëse kandidon për President,...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Marina e SHBA-së do të fillojë shumë shpejt të shoqërojë cisternat që kalojnë nëpër Ngushtica...
    Lajme03 Mars 2026
    Kreu AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se një numër i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë premtuar votën nëse ai do të kandidojë...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Asambleja e Ekspertëve të Iranit këtë të marte ka zgjedhur liderin e ri suprem të vendit. Mediat iraniane raportojnë se lideri i ri është...
    Vip03 Mars 2026
    Rogerti është kthyer në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Pasi u përplas me Monika Kryemadhin për sjelljen e tij, Rogerti vullnetarisht...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka konfirmuar se një dron ka goditur një parking në afërsi të Konsullatës Amerikane në Dubai,...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.