×
  • Lajme
  • Lajme

    Kërkohet përjashtimi i kryetares së trupi gjykues nga lënda për vr’asjen me th’ikë tek “Tranziti i ri” në Prizren

    FrontOnline
    15 Nëntor 2024

    Të akuzuarit Orhan dhe Albert Ademaj, së bashku me avokatët e tyre, Blerim Mazreku dhe Klodian Krasniqi, kanë kërkuar përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Raima Elezi, nga rasti ku dy të akuzuarit Ademaj ngarkohen për vrasjen e M.K.

    Në këtë rast, Orhan dhe Albert Ademaj ngarkohen se më 1 maj 2020 në Prizren, saktësisht në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Tranziti i ri”, në bashkëkryerje, me dashje nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta tani të ndjerin M.K., raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në seancën e kaluar, avokati Mazreku kishte kërkuar nga trupi gjykues të informohej nëse video-incizimet e kërkuara nga mbrojtja ishin bashkëngjitur në kërkesën për përjashtimin e prokurorit Genc Nixha. Në rast se nuk ishin përfshirë, avokati kërkoi që të siguroheshin incizimet dhe që kërkesa për përjashtimin e prokurorit të përsëritej, në mënyrë që të vendoste Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu.

    Ndërsa, avokati Krasniqi kërkoi verifikim nëse seanca e 27 shtatorit 2024 ishte regjistruar me audio. Andaj, gjykatësja Elezi në atë seancë (6 nëntor 2024) mori vendim që të sigurohen video-incizimet në fjalë.

    Lidhur me këto, në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prizren, zyrtari i IT-së së gjykatës, Ardian Kazazi njoftoi palët se pas kontrollimit të audio-incizimeve të datës 27 shtator 2024, rezultoi se nuk ekziston audio-incizimi i kërkuar për atë datë.

    Por, avokati Krasniqi deklaroi se në atë seancë kishte qenë e pranishme edhe monitoruesja nga “Betimi për Drejtësi” dhe kishte marrë konfirmim se seanca është e incizuar nga ajo deri në fund. Meqenëse audio-incizimi nuk mund të sigurohej sot, Krasniqi kërkoi që seanca të shtyhet.

    Sipas Mazrekut, duke pasur parasysh mundësinë e sigurimit të audio-incizimit nga monitoruesit, është e rëndësishme të provohen faktet për të cilat të akuzuarit dhe mbrojtja janë të bindur se kanë ndodhur gjatë seancës së 27 shtatorit.

    Në bazë të këtyre fakteve, ai tha se mbrojtja synon të shfrytëzojë të drejtat ligjore për të rishqyrtuar kushtet për përjashtimin e prokurorit Nixha.

    Mazreku theksoi gjithashtu se mbrojtja nuk kërkon asnjë favor, pasi të akuzuarit vazhdojnë të qëndrojnë nën masën e paraburgimit dhe çdo shtyrje e seancës i dëmton ata.

    Por, tha se interesi i të akuzuarve dhe i drejtësisë është që të trajtohen me dinjitet, t’iu sigurohen të drejtat procedurale dhe në fund të merret një vendim i drejtë.

    Nga ana tjetër, prokurori Nixha deklaroi se çështja e përjashtimit të tij është përfunduar, pasi një kërkesë e tillë është refuzuar nga kryeprokurori i Prizrenit, duke e konsideruar këtë çështje të mbyllur për gjykatën.

    Prokurori Nixha kundërshtoi gjithashtu propozimin e avokatëve për shtyrjen e seancës, duke argumentuar se nuk ka arsye për këtë dhe se ka pasur shtyrje disa herë. Tha në seancë është i pranishëm dëshmitari Miran Halaj, i sjellë nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike, si dhe doktor Bujar Obertinca.

    Sipas prokurorit, incizimi i monitorueses nuk mund të konsiderohet si provë e pranueshme në këtë çështje penale.

    “Ata bëjnë incizime për nevojat e tyre dhe është diskutabile se monitoruesja a ka drejtë me dorëzu një incizim të tillë palëve në procedurë”, tha Nixha.

    Pas kësaj, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Raima Elezi, refuzoi propozimet e mbrojtjes lidhur me kërkesën për përjashtimin e prokurorit, duke theksuar se dy instanca kishin marrë vendim për këtë çështje. Gjithashtu, u refuzua edhe propozimi për shtyrjen e seancës.

    Po ashtu, trupi gjykues shqiptoi vërejtje ndaj avokatëve Blerim Mazreku dhe Klodian Krasniqi, me arsyetimin për zvarritje të procedurës.

    Pas këtij vendimi, avokati Mazreku deklaroi se i akuzuari Orhan Ademaj kishte dyshime në objektivitetin dhe paanshmërinë e kryetares së trupit gjykues, duke përmendur moskonstatimin e fjalëve të prokurorit, përfshirë pretendimet se të akuzuarit ishin quajtur “terroristë”.

    Si rezultat, Mazreku tha se kishin vendosur të paraqesin kërkesë për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues.

    “Meqenëse për shakë të kësaj situate jemi vënë në këtë pozitë, e parashtrojmë edhe kërkesën për përjashtim të kryetares së trupi gjykues e cila do të duhej të ishte garant të drejtave themelore të të akuzuarve”, tha Mazreku.

    Të akuzuarit Albert dhe Orhan Ademaj u pajtuan në tërësi me fjalët e avokatit Mazreku.

    Pas kësaj, prokurori Genc Nixha kërkoi ndërprerjen e seancës së sotme deri në vendimin për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues.

    Pas kësaj, trupi gjykues vendosi ndërprerjen e seancës dhe dërgimin e shkresave të lëndës tek kryetarja e gjykatës, për të vendosur lidhur me kërkesën për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren në gjykimin e parë, më 28 dhjetor 2023 të akuzuarin Orhan Ademaj e kishte dënuar me 22 vjet burgim, kurse të akuzuarin Albert Ademaj me 13 vjet burgim. Por, ky rast është kthyer në rigjykim me vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 3 maj 2024.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 30 tetor 2020, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020 në Prizren, saktësisht në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Tranziti i ri”, në bashkëkryerje me dashje nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta tani të ndjerin M.K.

    Tutje sipas aktakuzës thuhet se ditën kritike derisa të pandehurit ishin në qarkullim me veturën e tyre të markës “Golf III”, të cilën ishte duke e drejtuar i pandehuri Albert Ademaj, në momentin që e vërejnë tani të ndjerin M.K, i cili ishte në cilësinë e pasagjerit në motoçikletën e dëshmitarit Miran Halili, i përcjellin me automjetin e tyre së pari në lagjen “Ortakoll” dhe iu afrohen motoçikletës.

    Bazuar në aktakuzë, vetë dëshmitari Miran deklaron se ka vërejtur thikën në dorën e të pandehurit Orhan dhe me qëllim të shmangies së konfliktit eventual i njëjti duke e drejtuar motoçikletën lëvizë në drejtim të lagjes “Arbanë”, gjithnjë duke u ndjekur pas nga të pandehurit, të cilët kanë qenë në veturën e tyre.

    Sipas aktakuzës, kur arrijnë në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Tranzit i ri” në Prizren, e cila rrugë nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë të vendosura në shtëpitë përskaj rruge është regjistruar veprimi i të pandehurve, të cilët me automjetin e tyre iu janë vënë pas dhe e kanë goditur motoçikletën.

    Thuhet se pas kësaj, i pandehuri Orhan pasi që del nga automjeti i afrohet të ndjerit M. dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit, pas së cilës me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes derisa viktima duke e mbajtur dorën në plagën e shkaktuar, pas së cilës ka ardhë auto ambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren.

    Me këtë rast, sipas aktakuzës është vërtetuar se i njëjti në emergjencë ka arritur pa shenja jete, sipas raportit të mjekut kujdestar Sadri Hulaj me nr.3227, të datës 1 maj 2020.

    Me këto veprime, Orhan dhe Albert Ademaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” për të cilën vepër penale parashihe dënim me jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm.

    Nga Rubrika
    Lajme15 Nëntor 2024
    Personi që u gjet i vdekur në Prishtinë, është familjar i politikanit Adem Grabovci. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai,...
    Lajme15 Nëntor 2024
    Nga e premtja e datës 15 Nëntor, Comodita Home sjell eventin më të madh botëror të zbritjes Black Friday, me oferta spektakolare...
    Kronika15 Nëntor 2024
    Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me një vdekjen e një burri në Prishtinë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë...
    Të tjera
    Vip15 Nëntor 2024
    Konkurrentja e Big Brother VIP Kosova, Xheneta, është shfaqur shumë e nervozuar me paraqitjen e partnerit të saj, Gjestit, në darkën e...
    Vip15 Nëntor 2024
    Konkurrent i Big Brother VIP Kosova, Burimi, ka habitur me një deklaratë teksa përjashton vetën duke lavdëruar një tjetër konkurrent. Ai iu...
    Vip15 Nëntor 2024
    Kevin, Gjesti dhe Leo kanë gjetur një mënyrë të vecantë për t’u argëtuar. Ata në dhomën e gjumit teksa po luhej muzikë...
    Vip15 Nëntor 2024
    Ana me shaka ka ftuar Xuxin në shtratin e saj duke i thënë se nëse futet mes saj e Gresës do t’i...
    Opinione15 Nëntor 2024
    Burimi: The Daily Telegraph, Con Coughlin. Ardhja e pashmangshme e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë nuk ka vetëm ndikim të thellë...
    Ekonomi15 Nëntor 2024
    Kriptovaluta “Dogecoin”, logo e të cilës është një qen super i lezetshëm, ka përjetuar rritje që kur Donald Trump u shpall fitues...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.