Në fshatrat Çirez dhe Likoshan të Drenicës, u përkujtuan sot 24 civilët e masakruar më 28 shkurt 1998 nga forcat serbe.
Për t’i nderuar viktimat, civilë të paarmatosur, shkoi edhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me të shoqin dhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, njofton Klan Kosova.
E para tha se institucionet kosovare do ta nderojnë gjithmonë sakrificën e këtyre të rënëve për lirinë e Kosovës, ndërsa i dyti shtoi se vazhdimisht duhet kërkuar drejtësi për këto viktima.
Forcat serbe kryen këtë masakër në shenjë hakmarrjeje pas përleshjes me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tek vendi i njohur si Lisi Gjashtënjak.