Një klinikë turke e flokëve pretendon se kërkesa për transplantimin e mjekrës është dyfishuar që nga publikimi i memoareve të princit Harry.
Klinika EsteNove në Stamboll pretendon se kopertina e librit me kujtime, “Spare”, e cila është shfaqur shumë në media dhe në libraritë anembanë botës muajin e kaluar, është përgjegjëse për rritjen e kërkesës për transplantimin e mjekrës.
Transplantet e mjekrës zakonisht përbëjnë vetëm 5 për qind të rreth 250 procedurave që kjo klinikë kryen mesatarisht në muaj, ndërsa tani është rritur në 10 për qind (pra, kërkesa është dyfishuar).
Ata e quajtën këtë efekti ‘Princi Harry’, sepse kopertina e librit është ajo që meshkujt kanë sjellë kohët e fundit si një shembull se si duan të duket mjekra e tyre. Për një pamje të re, ata janë gati të paguajnë deri në 2.500 funte (2.840 euro).
“Interesimi për transplantimin e mjekrës është rritur vazhdimisht gjatë viteve të fundit, pasi më shumë njerëz bëhen të vetëdijshëm se mund ta arrijnë këtë pamje me transplant, por javët e fundit janë shfaqur gjithnjë e më shumë meshkuj”, është shprehur bashkëthemeluesi i klinikës, Batuhan Kizilcan.
Ai deklaroi se çdo vit rreth 50 për qind e pacientëve të tyre janë nga Britania e Madhe, kështu që nuk është për t’u habitur që fotografia e princit është shpesh një shembull i mjekrës që duan burrat.
Kizilcan pohon se çmimet e tyre janë dukshëm më të ulëta në krahasim me çmimet e Britanisë së Madhe kur bëhet fjalë për këto operacione.