Nga kryeministri potencial, Albin Kurti, përfaqësuesi i luginës po kërkon përfshirje në dialogun Kosovë-Serbi. Ai thotë se diplomat e të rinjve që po studiojnë në Kosovë, nuk po u njihen në Preshevë dhe kjo është edhe një prej arsyeve pse dëshiron të jetë në tryezën e dialogut. Ani pse i pari i LVV-së, nuk e ka përmendur bashkimin me tri komunat e luginës, kryetari i Preshevës insiston për një gjë të tillë, megjithatë për këtë ka kushte.
Shqiprim Arifi, i cili është duke udhëhequr aktualisht me komunën me shumicë shqiptare, thotë për KosovaPress, se procesi zgjedhor i parakohshëm në Kosovë është rezultat i turbulencave politike të shumë vjetëve më parë. Të gjithë këto, sipas tij, kanë ndikuar edhe në luginë.
Arifi në një intervistë për KosovaPress, thotë se marrë parasysh numrin e votave për partinë e Albin Kurtit, do të krijohet një stabilitet politik, jo vetëm për Kosovën por edhe për luginën.
“Paralelisht të forcohet Lugina e Preshevës. Unë pres prej Qeverisë Kurti 2 që të jetësoj, jo vetëm në letër, por edhe në praktikë Fondin Kombëtar të Solidaritet, fond i cili përfshin Komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Një fond i cili ka minimum pesë milionë euro, dhe i cili i prek të gjitha sferat e jetës të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Që me mbet kjo luginë gjallë dhe të mbes një luginë që jep perspektive dhe të mos shndërrohet në një Çamëri të dytë. Fondi Kombëtar është obligim politik të Qeverisë Kurti 2”, deklaron ai.
I pari i Preshevës thotë se Kurti kur do që të vazhdojë procesin e dialogut, duhet të përfshijë edhe ata në këtë proces.
“Pjesëmarrja e Luginës së Preshevës në dialog është e domosdoshme. Unë pres prej Qeverisë Kurti 2 që ne të jemi pjesëmarrës në këtë dialog…. Për neve nuk është me rëndësi se në cilin rang të listës së prioriteteve është, me rëndësi për neve që të jemi në dialog. Për Luginën e Preshevës, dialogu është me rëndësi sepse të rinjtë dhe të rejat tona të cilat studiojnë në Kosovë dhe të cilat dëshirojnë të punësohen në Komunën e Preshevës, është e pamundur sepse nuk pranohet diploma”, shton ai.
Teksa flet për bashkimin e Kosovës me luginën, ai thotë se për këtë kanë kushte. Shprehet insistues se nuk pranojnë shkëmbim territoreve, por as edhe korrigjim të kufijve.
“Ne të bashkangjitemi në bazë të referendumit të Republikës së Kosovës, por me disa kushte. Dhe aty kemi qenë në një vijë me Albinin. Kushti numër 1 është që të mos ketë shkëmbim territoresh. Kushti numër 2 është që ndryshimi i kufijve të mos nënkuptojë parcializimin e luginës. Dhe mbështetja ndërkombëtare që është kushti numër 3”, thekson Arifi për KosovaPress.
Përkundër kësaj kërkese, kryetari i partisë e cila doli e para nga zgjedhjet e 14 shkurtit, Albin Kurti ka përmendur referendumin për bashkim me Shqipërinë, por jo edhe atë me luginën.