Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.H, zyrtar policor për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike.
“Gjykata ka mbajtur seancën dëgjimore me ç’rast ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të pandehurit A.H. i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, në bazë të nenit 183 lidhur me nenin 187 par.1 nënpar.1.1 dhe 1.2 pika 1.2.2 të KPPRK-së.
Gjykata ka vlerësuar se masa e arrsetit shtëpiak është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri A.H. i lirë mund ti asgjësojë, fsheh, ndryshoj apo falsifikoj provat e veprës penale duke ndikuar në dëshmitarët, pasi që në këtë vepër penale janë të përfshirë edhe zyrtarë tjerë policor dhe kjo tregon rrezik se i pandehuri mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale”, thuhet në njoftim.
I pandehuri A.H. dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar – zyrtar policor ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare apo autoritetin. Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /FrontOnline/