KE i FFK-së mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për shumë çështje me rëndësi në futbollin e Kosovës. KE analizoi rrjedhën e deritashme të garave dhe konstatoi se garat po rrjedhin sipas dinamikës së paraparë. Gjatë kësaj kohe kemi pasur shfaqjen e disa dukurive jo të mira, të cilat KE i gjykon dhe i lufton si dhe në këtë drejtim janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me aktet normative.
KE po ashtu po i përcjellë me kujdes dhe vëmendje të veçantë deklaratat dhe opinionet e individëve dhe qarqeve të ndryshme rreth kurdisjeve të mundshme të ndeshjeve. FFK-ja ka qenë, është dhe do të jetë e hapur për bashkëpunim, me secilin që ka dhe ofron fakte e të cilat organet e FFK-së do t’i trajton me prioritet dhe kujdes e mbi bazën e fakteve do të ndërmerren masat adekuate, përcjell FrontOnline.
FFK sikur edhe deri më tash është e gatshme dhe e hapur të bashkëpunojë me Prokurorinë e shtetit dhe organet e hetuesisë, duke u bërë thirrje që të jenë të gatshëm të merren dhe të trajtojnë çdo deklaratë të individëve kudo që ata shfaqin dyshime për kurdisje dhe të merr masat e duhura për mënjanimin e këtyre dukurive negative. Por, FFK-ja nuk do të tolerojë përpjekjet e individëve apo qarqeve të ndryshme që për çfarëdo arsye të dëmtojnë apo prishin imazhin dhe të arriturat e futbollit të Kosovës dhe ndaj tyre do të jetë fuqishëm për t’i ndëshkuar në përputhje me të gjitha ligjet dhe aktet normative të disponueshme. Po ashtu KE në këtë drejtim, me qëllim të parandalimit të këtyre dukurive ka themeluar Task Forcën që do të jetë edhe në shërbim të Këshillit Kombëtar për parandalimin e dukurive negative.
FFK-ja u bënë thirrje organeve të saj që ta rrisin efikasitetin e punës dhe të jenë në nivelin e detyrave në kuptim të mbarëvajtjes dhe integritetit të garave.
KE shqyrtoi edhe kohën e përfundimit të kampionatit dhe caktoi datat e ndeshjeve të barazhit dhe finales së Kupës së Kosovës. Kampionati do të përfundojë në Superligë më 23 maj, ndërsa në Ligën e parë më 15 maj 2021. Ndeshjet e barazhit në Ligën e parë dy vendet e dyta të Grupit A dhe B do të zhvillohen më 22 maj 2021. Ndërsa, barazhi i Superligës, ku vendi i 8-të do të zhvillojë ndeshje me fituesin e barazhit të Ligës së Parë, do të luhet më 29 maj. Ndërkaq, finalja e Kupës së Kosovës do të zhvillohet më 12 maj, në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
KE diskutoi edhe për ndeshjet miqësore të Kombëtares A dhe FFK-ja ka arritur pajtueshmëri që më 1 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” ta zhvillojë një ndeshje me Kombëtaren e San Marinos, ndërsa më 4 qershor me Kombëtaren e Kazakistanit po ashtu në kryeqytet. Ndërkaq, më 5 qershor Kombëtarja A e përbërë kryesisht me futbollistë të Superligës udhëton në Antalia për një kamp disa ditorë dhe në program do të ketë zhvillimin e dy ndeshjeve miqësore me Kombëtaren Komorosit dhe të Gambisë.
KE shqyrtoi edhe Ankesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi./FrontOnline/