Marrëveshja e arritur mes FSSHK-së dhe Qeverisë, duke kategorizuar lartësinë e shtesave për rrezikshmërinë e profesionistëve shëndetësorë gjatë pandemsë, sipas Këshillit Drejtues të OIK është në kundërshtim me parimin e barazisë si e drejtë themelore dhe kushtetuese e njeriut.
Prishtinë, 30 tetor – Këshilli Drejtues (KD) i Odës së Infermierëve, Mamive dhe punonjësve tjerë shëndetësorë (OIK) ka reraguar lidhur me marrëveshjen e lidhur mes Qeverisë dhe Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), me të cilën përcaktohet lartësia e shtesës së profesionistëve shëndetësorë gjatë kohës së pandemisë në emër të rrezikshmërisë në punë.
“KD i OIK ka shprehur indinjatën e thellë lidhur me njoftimin e bërë publik nga ana e ministrit të shëndetësisë së Kosovës z. Armend Zemaj, të publikuar në rrjetin social “Facebook” më datën 29.10.2020, ku njoftohet për marrëveshjen e arritur mes Qeverisë dhe Federatën Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK)”, thuhet në njoftimin e Këshillit Drejtues të Odës së Infermierëve të Kosovës.
KD, siç thuhet në njoftimin e lëshuar nga OIK, konsideron se me këtë rast, marrëveshja e arritur mes këtyre palëve, është në kundërshtim me parimin e barazisë si e drejtë themelore dhe kushtetuese e njeriut.
“Rrezikut ndaj infektimit nga virusi Covid 19, në mënyrë të barabartë i ekspozohen të gjithë profesionistët shëndetësorë. Andaj, është i papranueshëm dhe i padrejtë kategorizimi dhe diferencimi në lartësinë e kompensimit të shtesës”, thuhet në njoftim.
Marrëveshja e fundit, sipas Këshillit Drejtues të OIK, është cënim i dinjitetit dhe integritetit profesional dhe është në kundërshtim edhe me Deklaratën Universale të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, me Konventat Evropiane për të Drejtat e njeriut dhe kushtetutën e vendit, sepse kjo marrëveshje profesionistët shëndetësorë i vë në pozita të pa barabarta.
“Infermierët janë edhe më të eskpozuar ndaj rrezikut, shkaku i kontakteve më të shpeshta që kanë me pacientët”, thuhet në qëndrimin e KD të Odës së Infermierëve të Kosovës.