Fansat e Premier Ligës kanë mundësinë të votojnë për lojtarin dhe trajnerin më të mirë të muajit janar.
Vetë faqja zyrtare e Premier Ligës angleze njoftoi sot nominimet: Mikel Arteta i Arsenalit, Pep Guardiola i Manchester Cityt, David Moyes i West Ham dhe Graham Potter i Brighton, janë në garë për çmimin trajneri më i mirë i muajit janar, përcjell KosovaPress.
Mikel Arteta, në pesë ndeshjet e janarit me Arsenalin ka regjistruar dy fitore, një kundër Newcastle dhe një me Southampton, dhe dy barazime kundër Manchester United, respektivisht edhe Crystal Palace, dhe së fundmi pësuan humbje ndaj Wolverhampton.
Manchester City i Pep Guardiolas është duke kaluar nëpër një formë fantastike. Në katër javët e para të këtij viti, “Citizens” arritën të regjistrojnë gjashtë fitore radhazi kundër Crystal Palace, Newcastle, Aston Villa, West Brom, Burnley, dhe Sheffield United, kështu edhe duke e kryesuar tabelën me një ndeshje më pak dhe tre pikë më shumë se vendi i dytë.
David Moyes së bashku me West Hamin gjatë muajit janar kanë katër fitore dhe një humbje. “Çekanët” e filluan me fitore kundër Burnleyt, vetëm për të vazhduar me fitore edhe kundër West Brom e Crystal Palace, ku më pas u ndaluan nga kampionët në fuqi Liverpooli duke pësuar humbje, dhe së fundmi regjistruan fitore kundër Aston Villas.
Trajneri i fundit i nominuar është Graham Potter i Brighton. Pavarësisht se skuadra e tij gjendet në vendin e 15-të në tabelë, Brighton gjatë muajit të kaluar kanë regjistruar dy fitore, dy barazime dhe 1 humbje. Arsyeja se pse Potter është i nominuar është pasi regjistroi në ndeshjen e fundit një fitore tejet të vlefshme e të madhe kundër gjigantit Liverpool.