Shërbimet emergjente të Spanjës njoftuan se një barkë me 35 imigrantë është përmbytur pasi u nis nga rajoni Maghreb drejt Ishujve Kanare.
Katër persona u gjetën të vdekur, 28 u shpëtuan, ndërsa disa të tjerë janë ende të zhdukur, bënë të ditur autoritetet, duke shtuar se shërbimet emergjente janë duke e kërkuar akoma një barkë tjetër.
Numri i imigrantëve që kanë arritur në Ishujt Kanare këtë vit ka shkuar në 17.000, që është shifër dhjetë herë më e lartë se numri i vitit të kaluar, shkruan Reuters.
Kjo po ndodh në kohën kur afrikanët janë të dëshpëruar nga humbja e të ardhurave prej turizmit, sektor që është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.
Të premten, qeveria spanjolle premtoi se do të ofrojë ndihmë për ndërtimin e strehimoreve për të ardhurit pas kërkesës për një gjë të tillë nga autoritetet lokale për shkak se mijëra njerëz po flenë nën qiell të hapur.