Ditë më parë, klubi i mirënjohur kosovar, Ferizaj paralajmëroi se ndeshja e sotme përballë Kikës së Hogoshtit mund të mos zhvillohet.
Kjo për shkak të gjendjes së rënduar financiare në klubin që garon në Ligën e Parë, raporton FrontOnline.
Ferizaj sipas orarit të publikuar do të duhej sot të përballej me Kikën e Hogoshtit me fillim nga ora 15:00 si vendas.
Megjithatë, ndeshja edhe mund të mos zhvillohet pasi futbollistët ka disa muaj që nuk kanë marrë paga dhe janë në gjendje mjaft të vështirë.
FrontOnline ka kontaktuar drejtorin e Ferizajt, Nadir Haxhimusa në lidhje me këtë çështje.
Ai ka thënë se ndeshja mund të mos zhvillohet nëse dikush nga aksionarët nuk ndërmerrë masa.
“Djelmoshat nuk janë ndalur, kanë stërvitur deri dje, por ndeshjen në këto kushte do ta bojkotojnë, nuk do ta zhvillojmë në rast se nuk vjen dikush prej aksionarëve për të ndërmarrë diçka”, ka deklaruar fillimisht Nadir Haxhimusa, duke vazhduar:
“Është situatë e rëndë, janë bërë dy vite me këtë gjendje, nuk po dimë kujt t’i drejtohemi, aksionarëve anglezë apo këtyre në Kosovë”.
Ai thotë se futbollistët janë në gjendje të vështirë, derisa tregon se kanë “jetuar” me disa ndihma të vogla të FFK-së.
“Është e vështirë edhe për futbollistët, që disa muaj pa paga, kanë jetuar deri më tani me disa ndihma të vogla të Federatës e Futbollit e Kosovës”, zbuloi ai.
“Kjo situatë është e padurueshme, prej janarit nuk kemi as mjek dhe as ekonom. Ta shohim në vijim”, përfundoi të dielën për FrontOnline Nadir Haxhimusa.
Ndryshe, FrontOnline mëson se klubi ferizajas ua ka borxh katër paga e gjysmë futbollistëve të skuadrës.
Pas 20 ndeshjeve në Ligën e Parë, Ferizaj ndodhet në vendin e tetë me 23 pikë të tubuara./FrontOnline/