Katër anëtarë të Gardës Zvicerane të Vatikanit, trupat elitare të veshura me veshje disa ngjyrëshe që mbrojnë Papën, kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, ka bërë të ditur Vatikani të hënën, raporton agjencia Reuters.
Rezultatet erdhën gjatë fundjavës dhe këto raste i janë shtuar tri rasteve tjera pozitive në Vatikan që dolën gjatë javëve të kaluara.
Të katër besohet se janë të parët në mesin e gardianëve që kanë rezultuar pozitivë.
Gati të gjithë gardianët janë beqarë që jetojnë në baraka brenda portave të Vatikanit. Komanduesit dhe anëtarët e martuar jetojnë në apartamente të veçuara. Gjithë anëtarët kanë nacionalitet zviceranë.
Vatikani ka thënë se të gjithë ata që kanë rezultuar pozitivë kanë simptome të buta. Janë izoluar dhe ka nisur gjurmimi i kontakteve.
Vatikani javën e kaluar si masë parandaluese i ka bërë thirrje të gjithëve të mbajnë maska, edhe në ambient të hapur dhe të mbahet distanca sociale.
Mirëpo, disa kanë cekur se Papa Francis nuk mban maskë gjatë paraqitjes para audiencës së përgjithshme dhe nganjëherë është në kontakt shumë të afërt me vizitorët, që mbajnë maska.
Edhe disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë nuk kanë mbajtur maska.