Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka nënshkruar sot tri marrëveshje me përfaqësuesin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Admir Shala.
Në këtë takim të pranishëm ishin edhe Vildane Maliqi udhëheqëse e Zyrës për Investime dhe Mbështetje të Bizneseve, si dhe Burim Krasniqi, zyrtar nga Drejtoria për Shërbime Publike, Ambient dhe Inspektorat.
Kryetari Qëndron Kastrati duke falënderuar FKEE-në, tha se nga këto marrëveshje komuna do të përfitojë duke ofruar shërbime sa më cilësore.
“Jemi duke u angazhuar që me anë të Fondit për Efiçiencë të Energjisë, në projektet që pritet të realizohen të sjellim shërbime sa më cilësore. Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve pritet që në projektin për ShFMU “Metush Krasniqi”, projektin për ndërtesën e Qendrës për Punë Sociale, si dhe projektin për ndriçimin publik, të kursejmë kosto të energjisë dhe buxhetit”, ka thënë ai.
Në anën tjetër edhe përfaqësi i FKEE-së, Admir Shala, tha se bashkëpunimi me Komunën e Kamenicës për këto projekte është i mirëpritur.
“Falënderoj kryetarin për bashkëpunimin. Besoj që me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve do të ketë cilësi edhe më shumë në projektet që pritet të realizohen”, ka thënë ai.