Ballkani e ka pësuar një humbje të hidhur në pasditën e së dielës në Superligën e Kosovës, shkruan FrontOnline.
Katër xhiro pa përfunduar kampionati, skuadra suharekase është mposhtur nga Drenica (2:1) dhe e ka humbur kreun e tabelës.
Kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund, Ballkani ndodhet në vendin e tretë në tabelë me 67 pikë të tubuara, dy më pak se lideri, Prishtina.
Përkundër kësaj humbjeje, te skuadra e Bledi Shkëmbit janë optimist se mund të shpallen kampionë.
Kapiteni i Ballkanit, Arbër Potoku ka deklaruar se skuadra e tij nuk do të dorëzohet asnjëherë.
“Sigurisht që dhemb kjo humbje e papritur, por ne nuk do të dorëzohemi asnjëherë pasi kemi kualitet dhe jemi me meritë në pjesën e epërme të tabelës”, ka thënë Potoku.
Ai shpreson që rivalët e Ballkanit të rrëshqasin deri në fund, derisa deklaron se suharekasit me “forcat e veta” janë këtu ku janë.
“Shpresoj dhe besoj se rivalët tanë do të rrëshqasin dhe ne do të kurorëzohemi me titullin e kampionit pasi që e meritojmë sepse me forcat tona jemi këtu ku jemi”, deklaroi të hënën për FrontOnline Arbër Potoku.
Ndryshe, Ballkani ndeshjen e radhës në Superligë e zhvillon këtë mesjavë në Suharekë kundër Arbërisë./FrontOnline/