Një pacient i quajtur Ali Sakallioglu nga Anglia ka fituar betejën me koronavirusin pas 7 muajsh.
Sipas “The Sun”, mjekët mendonin se ai nuk do ia dilte dot mbanë, por pas 222 ditësh i shtruar në spital, ai arriti të mundte këtë virus dhe të kthehet në shtëpi shëndoshë e mirë.
Gjatë këtij 7-mujorshi Aliu 56 vjeç ka pësuar goditje në tru, në zemër, probleme me veshkat, mëlçinë, dëmtime në mushkëri dhe shumë infeksione të tjera. Tashmë ai është kthyer në një motivim për të gjithë.
Babai i 5 fëmijëve u sëmur me koronavirus në fund të muajit Mars. Ai humbi shijen dhe nuhatjen, e më pas pati temperaturë të lartë.
Gjendja e tij paraqiste rrezik që në fillim të infektimit pasi vuan nga diabeti i tipit 1. Pas mjekimeve që mori në banesë, shëndeti i 56-vjeçarit u rëndua dhe familjarët e dërguan në spital.
Më pas pësoi atak në zemër dhe ra në gjendje kome për 3 muaj. Në spital qëndroi për 222 ditë dhe tashmë ka dy kujdestarë që i qëndrojnë pranë dhe kujdesen për të.