Kërkesa e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ta dërgojë draftin e Asociacionit në Komisionin e Venecias, po konsiderohet ekzibicion, nga deputetët e partive opozitare.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se ky veprim kjo deklaratë e shefit të Qeverisë, është tërheqja e vëmendjes së votuesve të tij, për pranimin e Asociacionin.
“Kurti po mundohet në bazë të këtyre ekzibicioneve ta largojë vëmendjen dhe t’i bind militantët e tij se nuk e ka pranuar Asociacionin. Por, në fakt e ka pranuar, njëjtë sikurse i dhurojë tokat e manastirit të Deçanit për Këshillin e Evropës, njëjtë tash për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Zoti Kurti e kish dit që është kusht edhe dërgimi i draftit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese dhe si ka pranuar, tash duke dashur të blejë kohë dhe t’i ikë përgjegjësisë dhe vendimmarrjes, tash po kërkon që Lajçak ta dërgojë për interpretim në Gjykatën e Venecias, gjë që s’po kom koment”, ka thënë Kadrijaj.
Madje, sipas saj, ideja për të dërguar draft-statutin e Asociacionit në Komisionin e Venecias, është forma më e keqe e mundshme e zgjedhur nga pushteti.
“Kjo forma që e ka pranuar zoti Kurti dhe kjo qeveri është më e keqja e mundshme, sepse mendoj se ka edhe kompetenca ekzekutive, ka pushtet të tretë, ndërsa zoti Kurti edhe atëherë kur nuk kishte Asociacioni kompetenca ekzekutive, e ka kundërshtuar, ndërsa sa herë po bën ekzibicione, sa herë që po punon dhe po vepron pa dakordim me aleatët tanë, neve po na rëndohet situata dhe çdoherë, sa më shumë që i shtyjmë këto vendime për Kosovën do të jetë edhe më keq”, tha deputetja.
Kreu i Qeverisë, Albin Kurti, theksoi të mërkurën në një intervistë për mediat në shqipëri, se nëse duan ndërkombëtarët, atëherë le ta dërgojnë draftin e Asociacionit të propozuar nga Lajçaku dhe pesë komisionerët tjerë evropian, në Komisionin e Venecias, derisa ai të vetin e dërgon në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
“Dokumentin e tyre, Lajçak dhe komisionerët e tjerë evropianë ta çojnë draftin e tyre në Komisionin e Venecias. Dokumentin tim do e çoj në Kushtetuese. Nëse Vuçiq është pajtuar me marrëveshjen bazike, përse të mos e pranoj unë. Por nëse hiqet Asociacioni, e shkatërrohet paketa, ashtu nuk pranoj. Ne jemi në të drejtën tonë. Presioni duhet të ishte në Beograd”, ka deklaruar Kurti./EO