Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK’së, Donika Kadaj Bujupi, në emisionin DPT te Fidani në T7, ka thënë se do ta votonte mocionin e mosëbesimit ndaj qeverisë Hoti, edhe pse partia e saj është pjesë e qeverisë.
“Ju e dini që unë kam qenë kundër formimit të kësaj qeverie dhe nuk e kam votuar në Kuvend. Gjithashtu, duke pa punën e qeverisë, unë nuk jam e zhgënjyer që nuk i kam votuar. Do ta votoja edhe mocionin e mosbesimit ndaj kësaj qeverie”, është shprehur Kadaj Bujupi.
Ajo gjithashtu tha se qeveria e ka sjellë vendin në këtë gjendje pasi nuk marrin pjesë as në mbledhjet e Kuvendit. Po ashtu ajo tha se data e zgjedhjeve duhet të caktohet qysh nesër.
“Qeveria ka ra, sepse një Qeveri që nuk mundet me i mbledh as deputetët e vet ajo veçse ka ra. Qeveria e cila nuk merr pjesë as në Kuvend e ka sjellë vendin në këtë gjendje. Mendoj se qysh nesër duhet të caktohet data e zgjedhjeve, sepse ekziston një shpërfillje ndaj situatës, nuk ka interes as një ligj i thjeshtë me u votu për me i ndihmu qytetarët. Ministrat nuk i kemi për foto por të punojnë për interesa të qytetarëve”, deklaroi Kadaj Bujupi.