Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Artan Abrashi, ka kritikuar Prokurorinë Speciale pas intervistimit të Dejona Mihalit, koordinatores për Komitete në LVV, si dëshmitare për disa çështje penale.
Abrashi e ka cilësuar këtë veprim si një akt politik të motivuar nga opozita, duke sugjeruar se Prokuroria po shfrytëzohet për të goditur reputacionin e partisë para zgjedhjeve.
“Kur Gjykata Kushtetuese merr ndonjë vendim që duket në favor të Qeverisë, menjëherë pasojnë dy-tri vendime kundër kushtetuese ndaj Qeverisë, ndonëse ligjet janë të drejta.
Një analizë e thjeshtë:
Tash, Blerim Isufaj, i cili nuk është emëru Kryeprokuror, thotë kështu: po e bëjmë edhe ne një aktakuzë të madhe (të cilën me siguri se ka bë vetë, por i kanë ndihmu shtetet tona partnere), mirëpo 5 muaj para zgjedhjeve e fton në Prokurori, Dejona Mihalin”, ka shkruar Abrashi në Facebook.
Ai vlerësoi se ky veprim është një sinjal se opozita ka ndërmarrë një fushatë të organizuar për të destabilizuar LVV-në, kështu Abrashi ka paralajmëruar se do të ketë shumë akuza dhe ndoshta edhe arrestime.
“A e dini çfarë mesazhi është ky?
Kjo do të thotë që, unë, Blerim Isufaj dhe ne e gjithë PDK e LDK, që jemi në Prokurori e nëpër Gjykata, do ta luftojmë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, sidomos në këtë kohë fushate. “Fundja, s’ka lidhje pse janë të pafajshëm. Ne e kemi fuqinë të dërgojmë njerëz në burg edhe pa faj.” – po nënkuptohet kjo punë.
Me pak fjalë,
Të dashur qytetarë,
Ka me pasë shumë akuza, ndoshta edhe arrestime, mirëpo ka vetëm një gjë: KJO ËSHTË ARMA E FUNDIT E OPOZITËS, PROKURORIA E KAPUR. S’ËSHTË ASNJË E VËRTETË!”, ka shtuar Abrashi.