Sfidat e qeverisë së re në Kosovë nuk do të jenë të pakta. Në aspektin ekonomik, analistët e fushës theksojnë se të gjitha partitë politike, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje, kanë prezantuar programe të cekëta.
Rimëkëmbja do të jetë edhe më e vështirë, duke marrë parasysh që pandemia koronavirus vijon ende dhe Kosova nuk ka nisur vaksinimin e popullatës.
“Sfidat e qeverisë së re nuk do të jenë të pakta, duke parë ndikimin që ka shkaktuar pandemia Covid-19. Duke parë deklarimet e më hershme të aktorëve të Vetëvendosjes që kanë pasur vërejtje e tyre për Ligjin e rimëkëmbjes ekonomike, tashmë është në duart e tyre që të vendosin se cila është rruga që do ta zgjidhin për rimëkëmbje të vendit”, thotë Bardh Ahmeti, ekspert i çështjeve ekonomike.
“Jemi dëshmitarë se gjatë gjithë kësaj fushate zgjedhore të gjitha partitë politike pothuajse kanë qenë të mangëta dhe të cekëta në aspektin e programeve të tyre jo vetëm politike por edhe ekonomike. Sidomos në ekonomi nuk kemi pasur ndonjë pasqyrë të këtyre programeve për me rehabilituar gjendjen pas zgjedhjeve respektivisht gjatë periudhës së këtij ti depresioni ekonomik të cilin jemi duke përjetuar si rezultat i shkaqeve të pandemisë”, thotë Nagim Skënderi, profesor i Fakultetit të Ekonomisë.
Lëvizja Vetëvendosje rezultoi fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, megjithatë I duhet një koalicion për të qeverisur. Detyra e parë pritet të jetë zgjedhja e presidentit të ri.
“Menjëherë sapo të konstituohet Kuvendi, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta krijojë shumicën e nevojshme prej 80 deputetëve që të nisë procedurën përzgjedhjen e presidentit. E më pastaj të vazhdojë me formimin e qeverisë, kjo mundtë ndodhë edhe brenda një dite. Pasi nëse dështon zgjedhja e presidentit, qeveria formohet kot sepse vendi brenda 45 dite shkon në zgjedhje”, thotë analisti Arton Demhasaj.
Në të njëjtën linjë mendimi ishin edhe analistë të tjerë politik në Kosovë, që mbështesin zgjedhjen e një presidenti të ri, e më pas të formohet qeveria. /A2CNN/