Edhe pse pushohet në shumicën e institucioneve, Sindikata e Sektorit Privat për 1 maj do të protestojë.
Jusuf Azemi, kryetari i kësaj sindikate ka dhënë detaje për Front Online lidhur me protestën e organizuar.
Azemi tha se Qeverisë ‘Kurti’ nuk po i bëjnë përshtypje protestat.
“Sindikata e Sektori Privat do të mbajë protestë edhe këtë vit për 1 maj në ditën e punëtorëve. Nga ora 11 e deri në 12 nga sheshi ‘Skënderbeu’ tek ‘Teatri Kombëtar’ do të jenë udhëheqësit e shoqatave sindikale e jo punëtorët. Qeverisë Kurti edhe pse dolën mijëra punëtorë para ca muajve nuk ju bëri përshtypje, nuk do t’i maltretojmë punëtorët që i kanë nga 150-200 euro pagë me dalë në protestë”, u shpreh Azemi.
Kreu i Sindikatës së Sektorit Privat tha se në Kosovë nuk ka ligj për të drejtat e punëtorëve.
Ai ka numëruar pakënaqësitë që kanë punëtorët e kësaj sindikate.
“Edhe pse po mbajmë protesta për 1 maj nuk po e kemi asnjë lëvizje. Nuk kemi as rritje të pagave, as përmirësim të kushteve të punës nuk kemi marrëveshje kolektive, as fond social dhe as fond për punëtorët që vdesin në vendin e punës. Në Kosovë nuk respektohen të drejtat e punëtorëve e nuk ka as ligj që i mbron të drejtat e punëtorëve, asgjë nuk ka”, thotë ai.
Vetëm gjatë 4 muajve të parë të këtij viti humbjen jetën 9 punëtorë në vendin e punës.
Kështu po thotë për Front Online, kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
Azemi ka bërë të ditur edhe shifrat e vdekjeve të punëtorëve që nga vitit 2018 e deri më tani.
“Gjatë vitit 2018 kanë vdekur 27 punëtorë në vendin e punës, në vitin 2019, 17 raste të vdekjes, në vitin 2020 kemi pasur 15 raste të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës, ndërsa në vitin 2021 kanë qenë 14 raste këto dy vitet e fundit ka qenë në rënie numri pasi kemi qenë të izoluar gjatë pandemisë”, tha ai për Front Online.
“Gjatë vitit 2022 i kemi pasur 23 raste të vdekjeve të punëtorëve e ndërsa gjatë këtyre muajve të vitit 2023 9 raste, ku kjo shifër është enorme i vdekjeve në vendin e punës”, u shpreh Azemi.
https://frontonline.net/89per-1-maj-ne-kosove-festohet-sprotestohet-sindikatat-e-zhurmshme-heshtin-ne-diten-e-punetoreve/