Njohësi i çështjeve juridike, Kolë Krasniqi, i ka konsideruar si jo të drejta vendimet e fundit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për mos certifikimin e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë qenë të dënuar në tre vjetët e fundit, raporton Front Online.
Krasniqi në një prononcim për FrontOnline, tha se vendimet e PZAP-it dhe të Gjykatës Kushtetuese nuk janë të drejta.
“Është një befasi jo e papritur pasi që e kemi pritur një vendim të tillë, kjo i ka parapari vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila ka marrë një vendim duke ia pamundësuar kandidatin atyre që janë të dënuar në tri vitet e fundit”, tha ai për Front Online.
Ai tha se marrja e vendimeve të tilla për kandidatët për deputetë i takon vetëm PZAP-it, KQZ-së dhe Gjykatës Supreme të Kosovës.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka qenë i drejtë pasi që shumë më tepër i ka takuar PZAP-it, KQZ-së dhe Gjykatës Supreme, sepse kufizimi i të drejtës elementare mund t’iu shqiptohet kandidatëve vetëm nga Gjykata kompetente, prandaj vendimi i gjykatës ku thotë që askush nuk ka të drejtë të kandidoj me vendim gjyqësor, kjo nuk ka pasur nevojë te jetë në vendim të Kushtetueses, nuk është praktikë e gjykatave Kushtetuese që të marrin vendim preventiv edhe për shumë raste”, tha ai për Front Online.
Krasniqi tha se këto vendime kanë shkaktuar çrregullime në skenën politike në vend, në prag të zgjedhjeve të cilat priten të mbahen.
“Këtë rast ky vendim ka shkaktuar një çrregullim të raporteve politike në të gjitha procedurat e Kosovës për zgjedhjet që po zhvillohen në Kosovës”, tha tutje ai.
Krasniqi tha se pret që Gjyqtarët e Gjykatës Supreme do ta marrin një vendim që do t’ ia lejojnë kandidimin në zgjedhje, liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit.
“Kjo është e çuditshme pasi që kemi një vendim të Kushtetueses, e cila ia ka ndaluar të drejtën kandidatëve të garojnë, mirëpo ju e dini se vendimi i Kushtetueses është superior mbi vendimet e Gjykatës Supreme, unë besoj që gjyqtarët e Gjykatës Supreme të cilët janë profesional. Ata mund ta marrin një vendim dhe kishte me qenë i arsyeshëm i cili do t’i lejohet liderit të partisë më të madhe opozitare të kandidoj, mirëpo ky vendim nuk e ndalon atë të ushtroj funksionin e kryeministrit”, tha tutje ai për Front Online.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar pjesërisht ankesën e LVV-së për mos certifikim nga Komisioni Qendror Zgjedhor.
Sipas këtij vendimi, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, dhe 4 kandidatë të tjerë nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ngjashëm, Paneli ka marr vendim edhe për partitë e tjera duke mos i certifikuar kandidatët që kanë probleme me ligjin./Front Online/