Një vendim i Gjykatës Kushtetuese do ta përcaktojë fatin e Qeverisë “Hoti”.
Ligjshmëria ose jo e pjesëmarrjes dhe votës së deputetit Etem Arifi po shqyrtohet ende në këtë Gjykatë.
Raportimet e medieve, bazuar në burime të tyre, po thonë se vendimi do të jetë pro Vetëvendosjes të cilët votën e Arifit e dërguan në Kushtetuese.
Nga kjo Gjykatë thonë se ende nuk është marrë vendim dhe kërkesa është në shqyrtim e sipër.
“Raportimet e djeshme në media përkitazi me këtë rast janë të pasakta dhe nuk qëndrojnë.Gjykata nuk ka marrë ende një vendim lidhur me këtë kërkesë dhe lënda është duke u shqyrtuar”, ka thënë për Front Online, Veton Dula, zëdhënës në këtë Gjykatë.
Në ndërkohë njohësit e Kushtetutës janë të bindur se vota e deputetit nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve është e pavlefshme.
Kësisoj sipas tyre kjo e bën Qeverinë “Hoti” ilegale.
“Neni 70 paragrafi i tretë thotë deputetit i humb mandati nëse dënohet mbi gjashtë muaj. Ai ishte i dënuar. Ai ka votuar sikur unë tash të shkoj dhe të votojë edhe pse nuk jam deputet. Vota e tij është invalidore, nule, prandaj vetëm kjo votë Qeverinë e bën ilegale”, ka thënëRiza Smaka për Front Online.
Smaka theksoi se në këtë rastvetëm zgjedhjet janë zgjidhje.
“Aq më pak kur kanë vepruar në kundërshtim me Kushtetutën vet Gjykata Kushtetuese, partia politike e parë subjekti politik i parë e ka mandatin për ta formuar Qeverinë e jo këto partitë politike minoritare”, ka thënë tutje Smaka.
Se deputeti Arifi nuk ka pasur mandat në momentin kur u votua Qeveria “Hoti”, e thotë edhe njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu.
Ai për Front Online tha se vetëm pas konfirmimit të aktgjykimit nga Kushtetuesja mund të shpallenkëto zgjedhje.
“Ajo çfarë do të duhej të ishte një vendim logjik i Gjykatës, nëse interpretohet si duhet dhe mbrohet Kushtetuta, dhe dispozitat e saj atëherë rezulton që thjeshtë në kohën që është votuar qeverisja në fuqi nuk ka pasur mandat deputeti përkatës dhe rrjedhimisht del që kjo qeverisje është edhe jo legjitime dhe jo ligjore, prandaj do të duhej që të shkohet në zgjedhje të reja dhe asnjë zgjidhje tjetër nuk mund të ketë”, ka thënë Baraliu, për Front Online.
Për vendimin e Kushtetuese rreth çështjes së deputetit Arifi është deklaruar të enjten edhe kryeministri Avdullah Hoti, i cili u zotua që do ta respektojnë çfarëdo vendimi që del nga kjo Gjykatë.