×
  • Lajme
  • Lajme

    Jepet fjala përfundimtare në rastin ndaj nëntë të akuzuarve se dëmtuan buxhetin mbi 2 milionë euro

    FrontOnline
    11 Shtator 2024

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu, Arben Jashari, Mustafë Vitija, Hajdar Jashari, Mexhid Mustafa, Besnik Feridi, Arsim Topanica dhe Faton Topanica, po akuzohen për krim të organizuar.

    Fillimisht, prokurori i rastit, Bekim Kodraliu bëri të ditur se prokuroria ka bërë ndryshimin e veprës penale që ndërlidhet me aktakuzën e lëshuar nga prokurori paraprak sa i përket kualifikimit juridik të veprës bazë dhe duke vepruar sipas sugjerimit të Gjykatës se Apelit, duke plotësuar veprën penale nga “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në veprën penale: “Shpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 339 paragrafi 3 i Kodit te Përkohshëm Penal te Kosovës.

    Gjithashtu, i njëjti tha që mbetet në tërësi pranë aktakuzës së ngritur e të ndryshuar dhe plotësuar, duke përsëritur qëndrimin se gjatë shqyrtimeve gjyqësore edhe njëherë është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer vepra penale siç janë të përshkruara në aktakuzë, ku sipas tij këtë e mbështetë në prova personale dhe materiale siç janë: Super-ekspertiza financiare e përgatitur nga një grup profesional, nga dëshmia e dëshmitares Violeta Pllana dhe nga zbatimi i masave të veçanta hetimore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Tutje, prokurori tha që në këtë rast ka vepruar një grup i organizuar kriminal nën udhëheqjen e të akuzuarit Shaip Ferizi, i ndihmuar në veçanti nga të akuzuarit: Shqipe Avdiu, Besnik Ferizi e Arben Jashari. Po ashtu sipas tij, këto veprime ndërlidhen ngushtë me veprimet e të akuzuarve: Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Besnik Feridi, Faton dhe Arsim Topanica dhe Hajdar Jashari. Në këto rrethana sipas tij janë plotësuar të gjitha kriteret të veprës penale të krimit të organizuar.

    Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit, Shaip Ferizi, avokati Besim Parduzi fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar dhe shtoi se gjykata edhe nëse mendon dhe vendos se i mbrojturi i tij është fajtor duhet të ketë kujdes, për shkak se kemi të bëjmë me një çështje që ka ndodhur 17 vjet më parë.

    Ndërsa i akuzuari, Shaip Ferizi kërkoi nga gjykata ta hudhë poshtë këtë aktakuzë, sipas tij qesharake dhe të lirohet nga çdo ndjekje.

    Mbrojtësi i të akuzuarës, Shqipe Avdiu, avokati Blerim Hertica fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar, duke deklaruar se nuk është arritur të dëshmohet nga prokuroria për veprat penale që i vihen në barrë të mbrojturës së tij.

    Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit, Arben Jashari, avokatja Bedrie Rexhepi fjalën e saj përfundimtare e ka dorëzuar në formë të shkruar dhe tha që prokuroria në këtë rast nuk ka arritur të provojë ekzistimin e një grupi të tillë e aq më pak që klienti i saj të ketë një rol në këtë grup.

    Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Mustafë Vitia, avokati Florin Vertopi ka thënë që në këtë rast nuk ka palë të dëmtuar.

    “Në dispoztiv paraqitet shuma e dëmit krejt tjetër dhe atë 2 milionë e 411.947 euro, ndërsa në ekspertizë krejt tjetër dhe thuhet se është dëmtuar buxheti i Kosovës. Ku është përfaqësuesi i Republikës së Kosovës, s’ka palë të dëmtuar”, tha avokati Vertopi.

    Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Mexhid Mustafa, avokati Mentor Neziri fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar, duke thënë që konsideron se i mbrojturi i tij nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe i propozoi gjykatës që i njëjti të shpallet i pafajshëm.

    I akuzuari Mexhid Mustafa deklaroi se nuk ka lidhje me asnjërin nga të akuzuarit.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Ferizi, avokati Agron Curri deklaroi se duke u bazuar në seancat e kaluara, prokuroria nuk ka arritur me asnjë provë të vetme të dëshmoj që i mbrojturi i tij ka arritur të kryej vepër penale.

    Po ashtu, mbrojtësja e të akuzuarit Faton Topanica, avokatja Sahadete Gashi e ka dorëzuar fjalën e saj përfundimtare në formë të shkruar, duke thënë se mbrojtja e ka të paqartë se i mbrojturi i saj cilit grup struktural i ka takuar, cili ka qenë kontributi i tij në këtë grup dhe nëse po kush e ka udhëhequr këtë grup, kur dihet që sipas saj që me shumicën e të akuzuarve është njohur në gjykatë.

    Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Arsim Topanica, avokati Arlind Jupolli fjalën e tij e ka dorëzuar në formë të shkruar, duke thënë se me asnjë provë nuk është vërtetuar ekzistimi i veprës penale të krimit të organizuar, gjatë kohës së kryerjes së supozuar të veprës penale.

    Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Hajdar Jashari, avokati Asdren Bytyqi e ka dorëzuar me shkrim fjalën e tij përfundimtare duke e mbështetur fjalën e avokatëve parafolës të tij.

    Të gjithë të akuzuarit mbështetën fjalët përfundimtare të avokatëve të tyre.

    Ndryshe më 11 mars 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte dënuar me burgim me kusht nëntë të akuzuarit për krim të organizuar: Shaip Ferizin, Shqipe Avdiun, Arben Jasharin, Mustafë Vitinë, Mexhid Mustafën, Besnik Ferizin, Faton dhe Arsim Topanicën si dhe Ajdar Jasharin.

    Mirëpo, ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit kishin ushtruar ankesë mbrojtësit e të akuzuarve, me ç’rast më 18 dhjetor 2019 kjo gjykatë ka aprovuar ankesat e tyre si dhe sipas detyrës zyrtare e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2008, nëntë të akuzuarit që nga 8 shtatori 2006 e deri më 9 tetor 2007, kishin kryer krim të rëndë si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, duke e pasur secili rolin e tyre të ndarë në veprimtari kriminale.

    Në aktakuzë thuhet se me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të një dobie pasurore apo financiare të kundërligjshme, gjatë importimit të cigareve si kontraktues të KFOR-it dhe në emër të KFOR-it, kishin keqpërdorur detyrat zyrtare.

    Me këtë rast, sipas aktakuzës, cigaret në vlerë prej 2 milionë e 931 mijë e 929 euro e 8 centë, nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por ua kanë shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke shkaktuar evazion fiskal ndaj buxhetit të konsoliduar të Kosovës në shumë prej 2 milionë e 441 mijë e 927 euro e 71 centë.

    Prokuroria të akuzuarit Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu dhe Arben Jashari, i ngarkon me veprat penale “Krim i organizuar”, lidhur me veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe me veprën penale “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve”.

    Ndërsa, të pandehurit Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Hajdar Jashari, i ngarkon me veprën penale “Krim i organizuar” lidhur me veprën penale “Shmangie nga pagesat e detyrimeve”.

     

     

    Nga Rubrika
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se rritja e pensioneve për kategoritë e dala nga lufta për 50% është...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Altin Krasniqi, jurist i diplomuar dhe një personalitet i njohur në fushën juridike dhe shoqërore, ka njoftuar kandidaturën e tij për deputet...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Kryeministri Albin Kurti ka ngushëlluar për viktimat e sulmit të mbrëmshëm me veturë në një treg krishtlindjesh në Gjermani “Ngushëllimet e mia...
    Të tjera
    Bota/Rajoni21 Dhjetor 2024
    Numri i të vdekurve nga sulmi me veturë në një treg të Krishtlindjeve në qytetin e Magdeburgut të Gjermanisë u rrit në...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka bërë thirrje diasporës që sa më shumë të aplikojnë për t’u regjistruar për votuar në...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Leo gjatë orëve të vona të natës është sqaruar me Gjestin dhe Rovenën sa i përket nominimeve. Por Gjesti i tha se...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka njoftuar se gjendet në një vizitë pesë ditore në Jordani në cilësinë e eskpertit...
    Bota/Rajoni21 Dhjetor 2024
    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar për sulmin që u bë ndaj ambasadës së Shqipërisë në Kiev të Ukrainës. Zëdhënësi i...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Kolonat e krijuara në pikat kufitare në Merdare e te Dheu i Bardhë mëngjesin e sotëm kanë filluar të lehtësohen, sipas përditësimit...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.