Dëshmitarja Stamena Jeliq tha se ka dëgjuar nga persona në Rahovec që në këtë zonë, përgjegjës për zhdukjen e serbeve që i kishte fqinjë duke përfshirë edhe burrin e saj ishte Ismet Tara.
“Personi përgjegjës për Rahovecin ka qenë Ismet Tara. Kam dëgjuar nga persona në Rahovec që ai ka qenë përgjegjës për zhdukjen e personave në fjalë. Vjehrra ime kur ka shkuar për të raportuar zhdukjen e djalit të saj ka shkuar për t’u takuar personalisht me Ismet Taren. Këtë ma ka thënë ajo personalisht”, tha dëshmitarja duke mohuar se është takuar vetë personalisht me Tarën.
Përpara kësaj, dëshmitarja tha se njërin prej serbëve e kishin rrahur dhe e kishin futur me një fugon nga i cili kishte arritur të arratisej, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Tihjomirin e kishin rrahur dhe me pas atë e morën me veturë të një lloji të caktuar me një si fugon, duart i kishte të lidhura dhe dëgjova që ai arriti që të ikte nga fugoni. Këtë e kam dëgjuar përmes fqinjit tim, Jella Gerkoviq”, tha dëshmitarja duke shtuar se burri i saj e kishte emrin Zveta.
Ajo tha se serbet e arrestuar ishin mbajtur të ndaluar në ish-stacionin e Policisë Serbe në Rahovec.
“Në Rahovec ku më përpara kanë qëndruar Policia dhe kur policia është larguar, ata janë mbajtur të ndaluar në stacionin e Policisë”, tha Jeliq duke shtuar se ata janë ndaluar nga UÇK-ja.
Me kaq përfunduan pyetjet e prokurorisë për këtë dëshmitare për të vazhduar më pas me pyetjet e mbrojtësit të viktimave, Simon Laws.