Javën e ardhshme përkatësisht më 16 nëntor, do të zhvillohet raundi i ri i takimeve për dialog në Bruksel.
Por, edhe kësaj here takimi do të mbahet mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë Petar Petkoviq, shkruan FrontOnline.
Lajmin për FrontOnline e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, do të marrë pjesë në takimin e paraparë për datën 16 nëntor 2021 në Bruksel në nivel kryenegociatorësh”, ka thënë ai për FrontOnline.
Kryeziu, ka bërë të ditura edhe temat të cilat do të diskutohen në këtë takim.
“Temat e diskutimit në takimin bilateral do të jenë çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, e energjisë dhe lëvizja e lirë”, është shprehur Kryeziu, për FrontOnline.
Bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë filluar në vitin 2011.
Ideja ka qenë që të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dyja shteteve.
Deri te fillimi i bisedimeve ka ardhur pasi që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2010 miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe Serbia, e cila hapi rrugë për fillimin e dialogut Kosovë –Serbi, të lehtësuar nga BE-ja, me qëllim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit.
Në një gjë të tillë kontribuoi mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010, sipas të cilit, “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.
Sidoqoftë, edhe pse në fillim u paralajmërua që Kosova do të bisedojë me Serbinë vetëm për çështje teknike –të cilat janë udhëhequr nga ekipet teknike të të dyja shteteve – në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluar edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë./FrontOnline/