Kryeministri, Albin Kurti e kandidatja për Presidente Vjosa Osmani dolën sot në Gërmi bashkë me familje për t’u “relaksuar”.
Por skena politike ende nuk po mund të “relaksohet” pasi ka mbetur me u.d të Presidentit.
Java e ardhshme si duket do të jetë vendimtare për zgjedhjen apo jo të Vjosa Osmanit Presidente.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, për Front Online ka treguar se javën e ardhshme pritet të thirret seanca për votimin e Presidentit.
“Besoj që javën e ardhshme do të duhej të thirrej”, ka thënë Rrahmani për Front Online.
E premtja e kësaj jave është folur edhe si ditë kur mund të hidhet në votim çështja e Presidentit por Rrahmani e ka përjashtuar këtë mundësi.
“Të premten kemi seancë që është paraparë, por jo kështu për çështjen e Presidentes”, ka thënë ai për Front Online.
I pyetur nëse do të propozojnë edhe një kandidat tjetër pasi procedurat për zgjedhjen e Presidentit janë të tilla, deputeti Rrahmani shprehet se partitë opozitare, do të duhej të propozonin një kundër kandidat meqë e kundërshtojnë Osmanin.
“Nuk është diskutuar për këtë, ka mundësi që është ndonjë kundërkandidat prej subjekteve tjera”.
“Ata që e kundërshtojnë Vjosa Osmanin duhet ta propozojnë dikë tjetër që me pasë arsye pse po e kundërshtojnë ose me pas një kandidaturë, e cila ata mendojnë ata që është më e mirë sesa Vjosa”, shprehet ai.
Edhe shefja e grupit parlamentarë të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar të enjten se nuk e përjashtojnë mundësinë që seanca të thirret javën e ardhshme./Front Online/