Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Xhavit Jashari, për “Front Online” ka reaguar ndaj arrestimeve të fundit nga Gjykata Speciale, duke e cilësuar atë si një veprim që synon të kriminalizojë luftën e UÇK-së dhe ta barazojë atë me krimet e Serbisë në Kosovë.
Sipas Jasharit, Gjykata Speciale është një “gjykatë politike” që ka për qëllim të dëmtojë imazhin e luftës çlirimtare dhe të bashkëpunojë ngushtë me Prokurorinë serbe.
“Është gjykatë politike dhe me qëllime të caktuara duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë serbe, nuk janë cak individë, por lufta e UCK-së. Kjo nuk do të arrihet me kriminalizu luftën dhe me barazu me gjithë ato që i ka bërë Serbia në Kosovë”, deklaroi Jashari.
Jashari theksoi se nëse do të ishte një Gjykatë e drejtë dhe e paanshme, ajo do të merrej më shumë me krimet që janë kryer nga forcat serbe gjatë luftës.
“Kosova ka 502 masakra që nuk janë hetuar ende. Kjo gjykatë nuk është krijuar për të sjellë drejtësi, por për të njollosur luftën e UÇK-së”, tha ai.
Ai gjithashtu theksoi se Shoqata që ai drejton ka kundërshtuar me forcë krijimin e kësaj Gjykate dhe çdo mekanizmi tjetër që prek integritetin dhe trashëgiminë e luftës çlirimtare.
“Ne nuk e njohim këtë Gjykatë dhe as çdo organ tjetër që tenton të dëmtojë luftën e UÇK-së“, shtoi Jashari.
Jashari apeloi tek institucionet e Kosovës, duke kërkuar një reagim më të fortë për të mbrojtur dinjitetin e UÇK-së dhe të luftës çlirimtare.
“Kjo Gjykatë dhe të gjitha aktet që dalin prej saj, po prekin lirinë e vendit. Për këtë, shteti i Kosovës duhet të veprojë dhe të kërkojë përgjegjësi për njollosjen që po i bëhet luftës së UÇK-së dhe të gjitha sakrificave që ka bërë populli i Kosovës për lirinë e tij”, përfundoi Jashari për “Front Online”.