Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston Avni Jasharin, zëvendës-drejtor Menaxhues në Agjencinë Kosovare për Privatizim.
Jashari i cili në institucionet për privatizim si në AKM ashtu edhe AKP, punon qysh nga viti 2000, para anëtarëve të Komisionit tha se ka pasur raste që pronave shtetërore-publike u është ndërruar emri i titullarit dhe u është vendosur emri i personave fizik pa kaluar në procesin e privatizimit përmes institucioneve përkatëse, raporton Front Onlien.
“Ka pasur raste të tilla. Raste në komuna të caktuara që kanë zbatuar vendimet e Gjykatave komunale që kanë qenë para vitit 99’ dhe para shndërrimet të tyre në Gjykata Themelore. Atëherë në kalimin e regjistrave ka ndodhur që u është ndërruar numri i titullarit. Ka raste që i kemi ndjekur edhe penalisht”, ka thënë ai.
Jashari theksoi se raste të tilla ka ende.
“Kemi rast edhe në vitin 2020 në Veternik që nuk është liruar prona duke u thirrur në vendimin e viti 1999. Kemi rast kur në maj 1996, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për një pronë 6 hektarësh në Drenas e që pronësia i është dhënë në vitin 1994”, ka thënë Jashari, raporton Front Online.