Në ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në Prishtinë u hap “Ekspozita 59” të cilat pasqyrojnë luftën dhe sakrificën e popullit të Kosovës. Në hapjen e kësaj ekspozite mori pjesë edhe familjari i familjes Jashari, Bekim Jashari i cili njëherit është edhe kryetar i Komunës së Skenderajt.
Jashari thotë se fotografitë në këtë ekspozitë flasin për pastërtinë, sinqeritetin, dhe luftën e shenjtë të UÇK-së, derisa thekson se kjo ekspozitë është shembull konkret se si duhet argumentuar gjenocidi serb në Kosovë.
“Sapo mora pjesë në ekspozitën “Ekspozita 59”, retrospektivë, me fotografi të 7 autorëve, të cilat pasqyrojnë luftën, vuajtjet e sakrificën e popullit tonë për Liri e Pavarësi, rrugën e mundimshme të gjeneratave, mendësinë e pushtuesit e agresorit serb, torturat e maltretimet e bëra ndaj popullit tonë të pafajshëm. Ato flasin për pastërtinë, sinqeritetin, vendosmërinë, madhështinë dhe luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo ekspozitë është shembull konkret se si duhet argumentuar gjenocidin serb në Kosovë dhe se si duhet përcjellë gjeneratë pas gjenerate historinë tonë të lavdishme. Lavdi të rënëve për Lirinë e Kosovës”, ka shkruar Jashari./Front Online/