Jakup Krasniqit i është lexuar aktakuza me të cilën ai ngarkohet nga Dhomat e Specializuara. Gjykatësi i procedurës paraprake ia ka shpjeguar rregullat dhe po ashtu e pyeti Krasniqin nëse e ka pranuar aktakuzën në gjuhën shqipe, të cilën e flet.
Krasniqi është përgjigjur se një pjesë të aktakuzës e ka pranuar më 4 nëntor e pastaj në Hagë i është dorëzuar një aktakuzë, për të cilën thotë se ka qenë variant i korrigjuar dhe se e ka kuptuar mirë dhe lexuar mirë.
“Po aktakuzën e kam marrë, edhe një pjesë të saj me 4 nëntor, 2020, por edhe pasi kam ardhë në Hagë e kam marrë një variantë të korrigjuar të aktakuzën, është në gjuhën shqipe e kam kuptuar dhe lexuar mirë”, tha ai, raporton Front Online.
Më 4 nëntor, hetuesit e Speciales, në bashkëpunim me policinë e EULEX-it kanë bastisur pronat e ish-kryetarit të Kuvendit, në Prishtinë dhje fshatin e tij të lindjes, Negroc të Drenasit.
Po atë ditë, Krasniqi është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë.
Jakup Krasniqi është i arrestuari i katërt nga Gjykata Speciale.
Një ditë pas transferimit të tij në Hagë, për në Speciale janë nisur edhe ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli./Front Online/