×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Jack Smith jep dorëheqje nga Departamenti i Drejtësisë

    FrontOnline
    12 Janar 2025

    Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, ka dhënë dorëheqje nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, pasi e ka dorëzuar raportin hetues ndaj presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.

    Departamenti i Drejtësisë e bëri të ditur largimin e tij të shtunën mbrëma, duke thënë se ai dha dorëheqje të premten.

    Dorëheqja e tij, 10 ditë para se Trumpi ta marrë detyrën, vjen pas përfundimit të pasuksesshëm të dy ndjekjeve penale kundër Trumpit, të cilat pushuan pasi Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në nëntor.

    Tash çështje është fati i një raporti dyvolumesh që Smithi dhe ekipi i tij e kishin përgatitur gjatë hetimit të tyre të dyfishtë për përpjekjet e Trumpit për ta zhbërë humbjen e tij kundër presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020 dhe keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara në resortin e tij, Mar-a-Lago.

    Departamenti i Drejtësisë pritej ta bënte publik raportin në ditët e fundit të administratës Biden, por një gjykatëse e emëruar nga Trumpi, e cila e udhëhoqi rastin e dokumenteve të klasifikuara, e pranoi kërkesën e mbrojtjes që publikimi i raportit të shtyhej të paktën përkohësisht.

    Dy nga bashkëpandehurit e Trumpit në atë rast, shërbyesi i tij personal, Walt Nauta, dhe menaxheri i pronës në Mar-a-Lago, Carlos De Oliveira, argumentuan se publikimi i raportit do të ishte padrejtësisht paragjykues, një argument që edhe ekipi ligjor i Trumpit e mbështeti.

    Departamenti u përgjigj duke thënë se do ta mbante të fshehtë nga publikimi vëllimin e dokumenteve të klasifikuara për aq kohë që proceset penale kundër Nautas dhe De Oliveiras mbeten pezull.

    Megjithatë, prokurorët thanë se e kanë ndër mend të vazhdojnë me publikimin e vëllimit që lidhet me ndërhyrjen në zgjedhje.

    Në një mocion urgjent të premten mbrëma, ata kërkuan nga Gjykata e Apelit me bazë në Atlanta që ta heqë menjëherë një ndalesë të vendosur nga gjykatësja e Qarkut Aileen Cannon, e cila kishte ndaluar publikimin e ndonjë pjese të raportit.

    Ata i thanë veçmas Cannonit të shtunën se ajo nuk ka autoritet për të ndaluar publikimin e raportit, por ajo u përgjigj me një urdhër që kërkonte nga prokurorët të dorëzonin një material shtesë deri të dielën.

    Gjykata e Apelit e hodhi poshtë të enjten një kërkesë urgjente të mbrojtjes për të bllokuar publikimin e raportit për ndërhyrjen në zgjedhje, i cili mbulon përpjekjet e Trumpit para trazirave në Kongres më 6 janar 2021 për ta zhbërë rezultatin e zgjedhjeve të 2020-ës. Por, gjykata e la në fuqi ndalesën e Cannonit që asnjë nga gjetjet nuk mund të publikohen deri tri ditë pas zgjidhjes së çështjes nga Gjykata e Apelit.

    Departamenti i Drejtësisë i tha Gjykatës së Apelit në mocionin e tij urgjent se urdhri i Cannonit ishte “qartësisht i gabuar”.

    Rregulloret e Departamentit të Drejtësisë kërkojnë që prokurorët e posaçëm të përpilojnë raporte në përfundim të punës së tyre, dhe është zakon që dokumente të tilla të bëhen publike pavarësisht temës së tyre.

    William Barr, prokuror i përgjithshëm gjatë mandatit të parë të Trumpit, e publikoi një raport të prokurorit të posaçëm që shqyrtonte ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016, dhe lidhjet e mundshme me fushatën e Trumpit.

    Prokurori i përgjithshëm i Biden, Merrick Garland, ka publikuar gjithashtu raporte të prokurorëve të posaçëm, përfshirë ato për trajtimin e informacionit të klasifikuar nga Biden përpara se të bëhej president. /REL/

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni12 Janar 2025
    Lundrimi detar për mjetet e vogla dhe ato të peshkimit është pezulluar në Vlorë. Shkak janë bërë kushtet hidrometeorologjike detare të përkeqësura...
    Bota/Rajoni12 Janar 2025
    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u është drejtuar të dielën qytetarëve me një mesazh dhe reagim sa i përket akuzave të ngritura...
    Bota/Rajoni12 Janar 2025
    Disa pjesë të zonës luksoze të Brentwood janë nën urdhra evakuimi pasi kërcënohen nga zjarri i përhapur i Palisades. Mes atyre që...
    Të tjera
    Zgjedhjet 202512 Janar 2025
    Kandidati për deputet i PDK-së, Elmi Reçica, njofton se në tubimin madhështor të mbrëmshëm të PDK-së, ishin të pranishëm edhe një shtresë...
    Zgjedhjet 202512 Janar 2025
    Kandidati për deputet, Artan Nimani, nga koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët-Intelektualët, ka publikuar fotografi nga kryeqyteti nga trotuarët e pa pastruar nga bora dhe me...
    Bota/Rajoni12 Janar 2025
    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u është drejtuar të dielën qytetarëve me një mesazh dhe reagim sa i përket akuzave të ngritura...
    Zgjedhjet 202512 Janar 2025
    Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka paraqitur zotimet e tij për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke premtuar investime prej 5...
    Bota/Rajoni12 Janar 2025
    Disa pjesë të zonës luksoze të Brentwood janë nën urdhra evakuimi pasi kërcënohen nga zjarri i përhapur i Palisades. Mes atyre që...
    Sport12 Janar 2025
    Trajneri i kombëtarës së Kosovës në futboll Franco Foda, e ka nisur një projekt të ri me anë të cilit po kërkon...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.